Lajmet e fundit
Nënkryetari Haliti takoi një delegacion nga Këshilli Rajonal Autonom i Friuli Venezia Giulia të Italisë
E Marte, 07.06.2016
Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Xhavit Haliti dhe deputetja Safete Hatërgjonaj, kanë pritur në një takim një delegacion nga Këshilli Rajonal Autonom i Friuli Venezia Giulia të Italisë, në krye me presidentin Franco Iacop, presidentin e FINEST S.P.A, Mauro De Savio, shoqëruar nga ambasadori i Italisë në Kosovë, Andreas Ferrarese.
Presidenti i Këshillit Rajonal Autonom të Friuli Venezia Giulia, Franco Iacop premtoi mbështetje për Kosovën, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar më shumë me Kuvendin e Kosovës.
Ai ndër të tjera shfaqi interesim për mundësinë që investitorët italianë nga këto tri komuna të investojnë në Kosovë, konkretisht në fushën e çelikut, në bujqësi, agro-ushqim etj.
Nga ana e tij, z. Xhavit Haliti tha se Kosova, konkretisht Kuvendi, ka çfarë të mësojë nga Asambleja Rajonale e Friuli Venezia Giulia.
Duke folur për mundësinë e investimeve, ai tha se delegacioni italian i tri komunave autonome, ka ardhur në Kosovë në kohën e duhur. Haliti tha se Kosova ofron mundësi të mëdha për investime italiane.
"Kuvendi i Kosovës është i gatshëm ta kryej detyrën që i takon për të ofruar ligje sa më të favorshme për investime të huaja", tha Haliti.
Të dy delegacionet u dakorduan që të takohen më shpesh për të ndikuar në forcimin e bashkëpunimit në mes Kosovës dhe tri komunave rajonale autonome italiane në fusha të ndryshme, me interes të dyanshëm.