Lajmet e fundit

Grupi i Grave Deputete u takua me grupet e grave nga regjioni i Ferizajt

E Hënë, 06.06.2016




Deliu-Kodra: Këto takime po realizohen me qëllim që të sigurohet përkrahje e qëndrueshme për viktimat e dhunës në baza gjinore, duke kontribuuar kështu në parandalimin e dhunës ndaj grave, si dhe në mbrojtjen e rehabilitimin e tyre

Sot Grupi i Grave Deputete, në bashkëpunim me OSBE-në, mbajtën një takim me grupet e grave asambleiste nga Ferizaj, Kaçaniku dhe Hani i Elezit. Ky takim ishte në vazhdën e takimeve të GGD-së për të ndihmuar në ndarjen e buxhetit për strehimoret, për ndihmë në rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje.
Në këtë takim kryetarja e GGD-së, Blerta Deliu-Kodra tha se këto takime po realizohen me qëllim që të sigurohet përkrahje e qëndrueshme për viktimat e dhunës në baza gjinore, duke kontribuuar kështu në parandalimin e dhunës ndaj grave, si dhe në mbrojtjen e rehabilitimin e tyre.
"Dhunës në familje dhe në baza gjinore po i jepet rëndësi me anë të legjislacionit dhe politikave qendrore. Gjithashtu, po bëhen shumë takime dhe aktivitete me institucione kompetente dhe organizata të huaja dhe vendore, duke përfshirë edhe u koordinuar edhe me nivelin lokal", theksoi Deliu-Kodra.
Këtë takim e udhëhoqi deputetja Mexhide Mjaku-Topalli, e cila theksoi se dhuna duhet trajtuar si shkelje e të drejtave të njeriut dhe si krim.
"Kërkojmë që institucionet kompetente t'i trajtojnë këto raste më me shumë efikasitet, por gjithashtu duhet rritet bashkëpunimi me komuna, për t'i dhënë përkrahje viktimave të dhunës, e në këtë drejtim duhet punuar në decentralizimin e buxhetit për strehimoret", theksoi Topalli.
Lidhur me këtë çështje folën edhe deputetet Synavere Rysha, Sala Berisha e Labinota Demi Murtezi.
Të pranishmeve iu drejtua edhe përfaqësuesi i OSBE-së, James Lyon, i cili tha se avancimi i pozitës së gruas është edhe ndjenjë personale, sepse "stërgjyshja, gjyshja, nëna e tani motrat e mia, janë angazhuar shumë për ta fuqizuar gruan, dhe tani me anë të OSBE-së do të përkrah fuqishëm përmirësimin e pozitës së gruas".
Në diskutim morën pjesë edhe asambleistet nga këto tri komuna, të cilat u dakorduan që të vazhdojë bashkëpunimi i të dy niveleve për siguruar përkrahje substanciale për viktimat e dhunës.