Lajmet e fundit

Grupi i Miqësisë Kosovë- Slloveni, priti parlamentarin slloven, Trçek

E Hënë, 06.06.2016




Kryetari i Grupit të Miqësisë nga Sllovenia po e shoqërohet nga një grup studentësh nga ky vend mik, të cilët ishin të interesuar të njiheshin me gjendjen politike, ekonomike, sociale e të mjedisit në të cilën gjendet Republika e Kosovës.

Grupi i Miqësisë me Slloveninë në Kuvendin e Republikës se Kosovës, i kryesuar nga z. Elmi Reçica, priti në takim kryetarin e Grupit të Miqësisë me Kuvendin e Republikës se Kosovës nga Kuvendi Kombëtar i Sllovenisë, z. Franc Trçek.
Për më tepër se një orë, në një frymë miqësore, u zhvillua një bashkëbisedim interaktiv ndërmjet kryetarit të Grupit të Miqësisë me Slloveninë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Elmi Reçica dhe anëtarëve tjerë të grupit: Ismet Beqiri, Slobodan Petroviq, Albulena Haxhiu, Blerta Deliu Kodra, Bali Muharremaj dhe Enver Hoti,me një grup studentësh nga Universiteti i Lubjanës, të udhëhequr nga kryetari i Grupit të Miqësisë me Kosovën në Kuvendin Kombëtar të Sllovenisë, z. Franc Trçek.
z. Reçica falënderoi Republikën e Sllovenisë e cila e ka mbështetur dhe po e mbështetë Republikën e Kosovës në të gjitha etapat e zhvillimit të saj.
Znj. Albulena Haxhiu, ndërkaq, kërkoi nga Sllovenia, si mike e Kosovës , të ushtrojë ndikimin e vet që procesi i liberalizimit të vizave për kosovarët të mos kushtëzohet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, pasi që një gjë e tillë nuk është kërkuar as nga Mali I Zi. Kjo ishte edhe kërkesë e z. Ismet Beqiri dhe z. Bali Muharremaj.
Znj. Deliu Kodra theksoi nevojën e Kosovës për zhvillim ekonomik dhe në këtë aspekt vlerësoi se bashkëpunimi ekonomik me Slloveninë do të mund të shtrihej edhe më shumë, meqë në Kosovë tashmë ekzistojnë rreth 250 kompani apo biznese të suksesshme sllovene.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Grupit të Miqësisë me Slloveninë, iu përgjigjën pyetjeve të studentëve dhe profesorit Franc Trçek, të cilët ishin të interesuar të njiheshin me gjendjen politike, ekonomike, sociale e të mjedisit në të cilën gjendet Republika e Kosovës.