Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Premte, 03.06.2016




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryetari Kadri

Veseli, sot, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve

parlamentare, vendosi që mbledhja e radhës e Kuvendit të mbahet të enjten,

më 9 qershor, duke filluar në orën 10:00.

Në këtë mbledhje, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve

parlamentare, do të shqyrtohen një varg projektligjesh. Kështu, pritet të

shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Konventës për heqjen e Kërkesës për

legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961), Projektligji për

Ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe

Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e rrugëve

rajonale, Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet

Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për

Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10. Në shqyrtim të dytë,

ndërkaq, do të shqyrtohen tri projektligje të tjera: Projektligji për Agjencinë

Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligji për

falimentimin dhe ai për investimet strategjike në Republikën e Kosovës.

Mbledhja e Kuvendit do të vazhdojë me zgjedhjen e tre anëtarëve të Bordit

për Ankesa të Mediave, si dhe me shqyrtimin e dy propozim-vendimeve:

propozim-vendimit për caktimin e pagës së Auditorit të Përgjithshëm të

Republikës së Kosovës dhe propozim-vendimit të qeverisë për emërimin e

anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe dy raporte pune të vitit të kaluar: raportin e

Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe atë të Zyrës Rregullatore për

Ujësjellës dhe Kanalizim. Do të votohet, gjithashtu, edhe propozimi i GP të

Listës Serbe për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin për Mbikëqyrjen e

Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.