Lajmet e fundit
Kryetari Veseli mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit të Kosovës për Dialog Ndërfetar
E Enjte, 02.06.2016
Veseli: Është koha për një fitore të re të humanizmit liberal mbi fanatizmin e dhunshëm
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Ndërfetare "Interfaith Kosovo", e cila po mbahet në Prishtinë dhe ndau Çmimin e Kosovës për Dialog Ndërfetar për themeluesin i Komunitetit të Sant'Egidios, Monsignor Vincenzo Paglia. Me këtë çmim u nderua edhe kryetari i Londrës, Sadiq Khan.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari Veseli shkoqiti aspekte të kulturës fetare në Kosovë, e cila, siç tha kreu i Kuvendit, është një vend i vogël, por ka pasur fatin historik të trashëgojë një traditë të madhe e të fuqishme, atë të mirëkuptimit dhe bashkëjetesës mes feve të ndryshme.
"Historia jonë është historia e një territori, ku përgjatë shekujve, janë ndeshur perandoritë e ndryshme të lindjes e perëndimit. Është historia e një territori ku janë takuar kulturat dhe religjionet e ndryshme dhe kështu i kanë dhënë jetë pasurisë kulturore që ka sot rajoni ynë. Sot, vendi ynë mburret me faktin se është pjesë e kësaj pasurie", theksoi kryetari Veseli. Ai shtoi shekuj me herët, kur në vendet tona ballkanike, po takohej krishterimi me islamin, "populli ynë krijoi individin multireligjioz, me të cilin zë fill tradita jonë e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës religjioze, dhe pamja e bukur tradicionale e qyteteve tona ku kishat, xhamitë dhe sinagogat i kanë bërë hije njëra-tjetrës".
"Ne jemi krenarë me këtë traditë dhe e ndjejmë veten të lumtur se shpirti i kësaj tradite është në përputhje me vizionin që kemi sot për vendin tonë - vizionin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ne jemi plotësisht të përkushtuar në përmbushjen e këtij vizioni dhe ndihemi të lumtur se nuk kemi asnjë vizion tjetër alternativ për të ardhmen tonë", theksoi kryeparlamentari Veseli.
Duke folur për disa tendenca për ta paraqitur Kosovën si një tokë pjellore për radikalizmin fetar, Veseli tha se ky është një perceptim i pavërtetë, sipërfaqësor dhe gjithsesi i përkohshëm. Ai e konsideroi të padrejtë dhe të pamoralshme që të gjykohet për një vend, duke marrë për bazë veprimet e një grupi të vogël individësh.
"Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar, me tërë qenien e saj, në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ne kemi pasur rezultate të prekshme në këtë drejtim dhe aleatët tanë na janë falënderuar për këto rezultate. Ne jemi të sigurtë ne fitoren kundër tendencave të ekstremizmit të dhunshëm", potencoi kreu i Kuvendit.
Duke folur për kërcënimet i cili po i bëhet thelbit humanist të religjionit në botë nga grupe të ndryshme ekstremiste, Veseli tha se ashtu si qëllimet e tyre, edhe vizioni i tyre është i errët.
"Është koha, që brenda traditave tona të ndryshme kulturore e fetare, të rizbulojmë burimet e mirëkuptimit dhe solidaritetit me njeri-tjetrin. Është koha t'u tregojmë ekstremistëve se religjionet janë vlerë e jona, e jo instrument i tyre. Religjioni është tepër i rëndësishëm për ta lënë në duart e tyre. Është koha për një fitore të re të humanizmit liberal mbi fanatizmin e dhunshëm. Vetë kjo konferencë, me një pjesëmarrje kaq globale, me emra të nderuar të dijes e humanizmit, është në funksion të këtij qëllimi të përbashkët", tha ndër të tjera Veseli.