Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 01.06.2016




Komisioni vendosi t'i propozojë Kuvendit, që paga e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, të jetë ekuivalente me pagën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
U përkrahën tri raporte financiare dhe shtatë projektligje.
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e rrugëve rajonale, si dhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, janë përkrahur nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e mbajtur sot, të cilën e kryesoi kryetari i komisionit, Naser Osmani.
Realizimi i këtyre marrëveshjeve në formë kredish, do të jetësohet nëse gjen mbështetje edhe në mbledhje plenare të Kuvendit nga ana e deputetëve, ndërkaq, për kushtet e këtyre marrëveshjeve njoftoi zv. ministri i Ministrisë së Financave, Agim Krasniqi.
Ai bëri të ditur se vlera e këtyre kredive arrin shumën e 29, përkatësisht 42 milion euro, të cilat do të jenë pjesë e buxhetit të Kosovës në vitin 2017. Njoftoi më pas edhe për kohëzgjatjen e kthimit të tyre, si dhe çështje të tjera që kishin të bënin me to.
Në vijim, komisioni shqyrtoi dhe miratoi edhe tri raporte financiare të institucioneve të pavarura, e që i përkisnin vitit të kaluar, ndërkaq, ato i paraqitën drejtuesit e tyre.
Raportet e miratuara me këtë rast janë: Raporti vjetor financiar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2015 Raporti vjetor financiar i Agjencisë Kosovare të Pronës për vitin 2015, si dhe Raporti vjetor financiar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil për vitin 2015.
Pas kësaj, komisioni shqyrtoi kërkesën e Zëvendës Auditorit të Përgjithshëm për caktimin e pagës, për Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë, komisioni vendosi t'i propozojë Kuvendit, që paga e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, të jetë ekuivalente me pagën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Në vijim, u përkrahën edhe një pako e gjerë projektligjesh nga fusha e energjisë, përkatësisht: Projektligji për Rregullatorin e Energjisë me Raportin plotësues me amendamente të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Projektligji për Energjinë me Raportin plotësues me amendamente të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Projektligji për Energjinë Elektrike me Raportin plotësues me amendamente të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, si dhe Projektligji për Gazin Natyror me Raportin plotësues me amendamente të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.
Është shqyrtuar dhe përkrahur po ashtu edhe Projektligjit për Kundërvajtje dhe amendamente të Komisionit funksional për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.