Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri
E Marte, 31.05.2016
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga Fadil Demaku, zv. kryetar i Komisionit, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën, zv. ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Milan Radojeviq, raportoi lidhur me zbatimin e Strategjisë kundër trafikimit me qenie njerëzore.
Duke folur për këtë Strategji, zv. ministri Radojeviq, njëherësh, koordinator kombëtar i Strategjisë kundër trafikimit me qenie njerëzore, fillimisht bëri të ditur se ajo është miratuar në maj të vitit të kaluar. Kjo Strategji, tha ai në vijim, është hartuar në bazë të një analize të thellë të kësaj problematike, e cila, gjatë implementimit të saj është treguar shumë adekuate. Ai më pas vlerësoi se trafikimi me qenie njerëzore është problem dhe sfidë e përmasave globale (gjatë vitit 2013, në botë janë shënuar 20 milionë raste të trafikimit), nga i cili nuk është i kursyer as vendi ynë, por, shtoi ai, duhet angazhim i mëtejmë për një luftë të suksesshme kundër saj.
Duke iu referuar gjendjes në vendin tonë lidhur me këtë çështje, zv. ministri Radojeviq, bëri të ditur se ajo është e kënaqshme, ndërkaq, mekanizmat implementues të saj i vlerësoi të nivelit të lartë me cilësi ndër më të mirat në rajon dhe më gjerë.
Rastet e evidentuara të trafikimit gjatë vitit të kaluar, bëri të ditur ai, të regjistruara nëpërmjet një lidhje të veçantë telefonike, janë 731 dhe vetëm tri prej tyre kishin të bënin me trafikim me qenie njerëzore.
Njoftoi më pas edhe për një dukuri të shfaqur në vendin tonë, përkatësisht atë të personave që kërkojnë lëmoshë në rrugë. Sipas tij, këta persona vijnë kryesisht nga Shqipëria dhe për këtë kanë zhvilluar edhe takime me shtetin prej nga ata kanë prejardhjen.
Për të realizuar edhe më me sukses këtë Strategji, zv. ministri Radojeviq, vlerësoi se ajo do të arrihej me një mbështetje edhe më të madhe buxhetore, ndërkaq, për këtë, kërkoi edhe përkrahje nga komisioni.
Foli më pas edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar, për të cilin tha se është i nivelit të kënaqshëm, ndërkaq, në fund u është përgjigjur edhe pyetjeve që ngritën anëtarët e komisionit.