Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...

E Marte, 31.05.2016




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar nga znj. Selvije Halimi, nënkryetare e Komisionit, e ku të ftuar ishin përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor,Instituti Gjyqësor i Kosovës, Prokurori i Shtetit, Agjencioni Kundër Korrupsionit, Agjencia për Ndihme Juridike Falas dhe Komisioni Qendror Zgjedhor, institucione të cilat bien në fushëveprimin e Komisionit për Legjislacion, u diskutua për shpenzimet buxhetore dhe u adresuan kërkesa për përkrahje buxhetore të këtyre institucioneve.


Pas diskutimeve të zhvilluara në takim, Komisioni kërkoi që institucionet t'i sjellin me shkrim rekomandimet që në një mbledhje të radhës ato të votohen dhe t'i dërgohen Ministrisë së Financave dhe Komisionit për Buxhet dhe Financa. Tutje, komisioni formoi grupin punues për shqyrtimin e Projektligjit nr. 05/L-095 për Akademinë e Drejtësisë. Me pas Komisioni unanimisht përkrahu procedimin e raporteve me amendamente të komisioneve funksionale për Projektligjin nr. 05/L-081 për Energjinë,Projektligjin nr. 05/L-084 për Rregullatorin e energjisë,Projektligjin nr. 05/L-082 për Gazin natyror,dhe Projektligjin nr. 05/L-085 për Energjinë elektrike.


Në pikën të ndryshme, Komisioni u njoftua me shkresën e dërguar nga zyrtarët e përfaqësimit Gjyqësor të Avokaturës së Shtetit dhe shkresën e Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me nenin 24, paragrafi 2, të ligjit nr. 03/L-224.
Më tutje grupi punues, i ngarkuar për shqyrtimin e aplikacioneve për pozitën e Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, raportoi para komisionit dhe me miratimin e tyre u caktua data e intervistimit të kandidateve.

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...