Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi deputetët suedezë, anëtarë të Asamblesë së NATO-s
E Marte, 31.05.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti në takim grupin e deputetëve të Parlamentit suedez, anëtarë të Asamblesë së NATO-s, të cilëve u printe Björn von Sydow, me të cilët diskutoi për prioritetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë, për çështje të sigurisë.
Kryetari Veseli në takim me asamblistët suedezë, foli për zhvillimet në Kuvend dhe theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për realizimin e agjendës euro-integruese, zhvillimin ekonomik si dhe sundimin e ligjit.
"Kosova është e vendosur për të thelluar paqen në rajon, të kontribuojë për mirëkuptim dhe besim të ndërsjellë, duke u bërë pjesë e mekanizmave të sigurisë siç është aderimi në NATO", theksoi Kryetari Veseli.
Delegacioni suedez i shprehën përkrahje të plotë aderimit të Republikës së Kosovës në institucionet euro-atlantike, duke vënë në pah rëndësinë e fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit rajonal.