Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Mërkure, 25.05.2016
Pas përfundimit të mbledhjes së kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vijuar me mbledhje të re plenare. Në këtë mbledhje të kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli, (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari i parë, Xhavit Haliti), Kuvendi fillimisht shqyrtoi dhe miratoi në lexim të dytë tri projektligje: Projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, Projektligjin për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, si dhe Projektligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Me kërkesë të zv. kryeministrit, njëherësh edhe ministër i Ministrisë së Kulturës, Kujtim Shala, ndërkaq, është shtyrë për mbledhjen e radhës shqyrtimi i Projektligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Po ashtu, me propozim të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, është hequr nga rendi i ditës edhe pika e pestë e paraparë për këtë mbledhje, përkatësisht, shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Është vijuar më pas me shqyrtimin e Raportit të punës së Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës për vitin 2015.
Lidhur me këtë Raport, deputetët, ndonëse ngritën shumë çështje dhe adresuan kritika ndaj këtij Agjencioni, me shumicë votash e miratuan atë.
U shqyrtuan dhe u miratuan po ashtu edhe: Raporti i Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2015, Raportit i punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2015, si dhe Raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2015, të cilin para deputetëve e paraqiti Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.