Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...
E Marte, 24.05.2016
Vështirësi të shumta e përcjellin implementimin e Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje. Kështu u konstatua sot në dëgjimin publik, organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, kryesuar nga nënkryetarja e parë e Komisionit, Salihe Mustafa.
Kryesuesja e grupit punues për monitorimin e këtij ligji, Mexhide Mjaku-Topalli, ndërkaq, njoftoi se gjatë vizitave të bëra në terren, kanë identifikuar një mori mangësish që zvarrisin jetësimin në praktikë të ligjit. Ajo më pas foli për qëllimin e takimit, duke nënvizuar nevojën e nxjerrjes së rekomandimeve të përbashkëta, në mënyrë që institucionet përkatëse, ta kenë më të lehtë marrjen e vendimeve për zbatimin e ligjit.
Në vijim foli përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, njëherësh Koordinator Nacional për mbrojtjen nga dhuna në familje, Lirak Çelaj, i cili njoftoi për hapat që është duke ndërmarrë kjo ministri për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje. Me këtë rast, ai vuri në spikamë hartimin e një Strategjie, e cila sipas tij, pritet që në muajin qershor, të miratohet nga Qeveria. Ai u shpreh i bindur se strategjia e re do të ndikojë në parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, ndërkaq, nënvizoi se ajo është bazuar në praktikat e deritashme, duke përmirësuar dobësitë që përmbante strategjia paraprake. Me këtë rast ai rikujtoi rastin e Diana Kastratit, e cila ka pësuar si pasojë e neglizhencës së institucioneve.
Strategjia e re, tha ai në vijim, parasheh llogaridhënie më të lartë institucionale, masa konkret për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, rishikim tët legjislacionit, si dhe masa të tjera që do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes në këtë fushë.
Adile Shaqiri, përfaqësuese e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies sociale (MPMS), foli për obligimet me të cilat i ngarkon ligji, si dhe angazhimin e kësaj ministrie kundruall këtyre obligimeve. Me këtë rast, ai vuri në spikamë se Ministria ka licencuar më se 400 persona, si dhe 8 organizata për ofrim të ndihmës së specializuar personave që pësojnë nga dhuna në familje. Duke kërkuar mbështetjen e komisionit, ajo në vijim kërkoi që të gjendet një zgjedhje afatgjate, për strehimin e viktimave që pësojnë nga dhuna në familje.
Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë foli, Nazmie Kajtazi, e cila me këtë rast njoftoi se kjo Ministri ka trajnuar një staf prej 730 vetave, me qëllim të ofrimit të ndihmës sa më profesionale për personat që i nënshtrohen dhunë së kësaj natyre.
Në vijim, folën edhe përfaqësuesit e qendrave strehimore nga komuna e Gjakovës, si dhe e Prizrenit, të cilat u ankuan për mungesë të mjeteve buxhetore për të ushtruar veprimtarinë e tyre për tu dalë në ndihmë viktimave të dhunës në familje.
Folën më pas edhe përfaqësues të organizatave të ndryshme, ndërkaq, unanimisht është kërkuar që Strategjia e re Kundër Dhunës në Familje, të parashohë fond të veçantë buxhetor të implementimit.
Rekomandimet e dala gjatë debatit, ndërkaq, do të inkorporohen në raportin përfundimtar që do ta përgatisë grupi punues për monitorimin e Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje.