Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Hënë, 23.05.2016
Komisioni për Integrime Evropiane, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga zëvendëskryetari, Slobodan Petroviç, shqyrtoi dhe përkrahu tri projektligje me amandamente të komisioneve funksionale: Projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, Projektligjin për regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve dhe masave për punësimin e të papunëve, punëkërkuesve dhe punëdhënësve, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar.
Gjatë debatit lidhur me këto projektligje, deputetja Vjosa Osmani potencoi duke thënë se Qeveria nuk duhet lënë në plan të dytë këto projektligje me rëndësi të madhe. Për këtë, tha ajo, duhet që të kemi debat publik, jo vetëm ne si Kuvend, por, edhe shoqëria civile dhe të gjithë të jemi në përkrahje të parandalimit të dukurive të tilla.
Deputeti Xhavit Haliti, foli lidhur me Demarkacionit me Malin e Zi, ndërkaq, propozoi që në mbledhjen e ardhshme të ftohet edhe Komisioni përkatës për këtë çështje, për t'u njoftuar me mënyrën se si ka funksionuar ky komision. Në këtë mënyrë, tha ai, mund t'i shqyrtojmë argumentet e tyre dhe kjo çështje të kalojë duke filluar nga komisioni ynë dhe të vazhdojë në komisionet e tjera.
U propozua po ashtu, që të mbahet një tryezë e rrumbullakët dhe të ftohen ekspertë, gjeograf dhe deputetë, të cilët kanë qenë aktivë për çështjen e demarkacionit. U kërkua që kjo tryezë të mbahet më së largu deri në fillim të muajit qershor.