Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Hënë, 23.05.2016
Përmbyllja e procesit të ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, ka vënë në pah nevojën e rishikimit të ligjeve që rregullojnë mënyrën e sponsorizimit dhe donacioneve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
Kështu u vlerësua sot në mbledhjen e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, të kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit, në të cilën u shqyrtua Projektligji për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës rinisë dhe sportit.
Në mbledhje morën pjesë përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ata të Ministrisë së Financave (MF), si dhe përfaqësuesit e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të cilët paraqitën pikëpamjet e institucioneve që përfaqësonin.
Me këtë rast, debati u përqendruar në nenin 5 të Projektligjit, i cili rregullon formën e donacioneve, si dhe në nenin 12, sipas të cilit përcaktohet shuma e lejuar e donacionit.
Gjatë debatit u vu në dukje nevoja e një konsultimi më të madh ndërinstitucional, për të vazhduar më pas përsëri në komision, deri në harmonizimin e plotë të qëndrimeve lidhur këtë Projektligj.