Lajmet e fundit
Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit
E Mërkure, 18.05.2016
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhje e sotme plenare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar (pjesë të mbledhjes udhëhoqën nënkryetarët Xhavit Haliti dhe Sabri Hamiti), shqyrtoi një varg projektligjesh dhe raportesh të institucioneve të pavarura.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës, pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën ministrat: Arban Abrashi, Dalibor Jevtiq dhe Avdullah Hoti.
Me kërkesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, Kuvendi hoqi nga rendi i ditës shqyrtimin e Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Në vazhdim, sipas rekomandimit të Komisonit për Buxhet dhe Financa, Kuvendi vendosi që shqyrtimi i parë i Projektligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke u shmangur nga rregullorja e punës.
Gjatë prezantimit të projektligjit para deputetëve, ministri i Financave Avdullah Hoti, tha se lufta kundër terrorizmit, lidhet ngushtë me programin e qeverisë, i cili parasheh qasje proaktive për bashkëpunim ndërkombëtar, për parandalimin e pastrimit të parave. Hoti tha se bashkëpunimi dhe ndërveprimi më i mirë me policinë dhe prokurorinë në këtë drejtim, është jetik.
Në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa, raportin me rekomandime e paraqiti kryetari Naser Osmani. Pas paraqitjes së qëndrimeve të grupeve parlamentare nga ana e përfaqësuesve të tyre, Kuvendi miratoi projektligjin në parim dhe ngarkoi komisionin funksional dhe komisionet e përhershme, që brenda afatit të përcaktuar, ta shqyrtojnë projektligjin. Po ashtu, Kuvendi miratoi në parim edhe Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë.
Në vazhdim, Kuvendi miratoi për herë të dytë Projektligjin për patentë shofer dhe Projektligjin për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, me amendamente. Kuvendi, nuk zgjodhi, ndërkaq, anëtarët e Bordit Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit.
Deputetët, në vazhdim të mbledhjes, miratuan tri raporte, për të cilat debati ishte shterur në mbledhjen e kaluar të Kuvendit: raportin e Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, raportin e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe raportin e Performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2014.
Kuvendi, formoi, po ashtu, Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave.
Në vazhdim të mbledhjes, deputetët shqyrtuan raportin e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2015. Në emër të komisionit funksional për Legjislacion..., deputeti Armend Zemaj arsyetoi raportin me rekomandime, ndërsa në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa, kryetari i këtij komisioni, Naser Osmani.
Po ashtu, Kuvendi shqyrtoi edhe raportin e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2015, për të cilin, foli nënkryetari i komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Fadil Demaku.
Ministri i Financave, Abdullah Hoti, prezantoi para deputetëve raportin financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2015. Duke shkoqitur aspekte përmbajtjesore të tij, ministri Hoti paraqiti të dhëna dhe statistika financiare që lidheshin me të hyrat dhe shpenzimet buxhetore gjatë vitit të kaluar. Po në këtë frymë, në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa, deputeti Naser Osmani paraqiti rekomandimin për miratimin e raportit. Deputetja Safete Hadërgjonaj, prezantoi qëndrimin e GP të PDK-së, po ashtu për miratimin e raportit, duke vlerësuar se i plotëson kushtet për shqyrtim dhe miratim nga deputetët.
Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e raportit të punës së Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2015 dhe atë të punës së Autoritetit të Aviacionit Civil, për të cilët, raportet me rekomandime i paraqiti kryetari i komisionit funksional, Muhamet Mustafa. Deputeti Armend Zemaj, ndërkaq, në emër të komisionit funksional për Legjislacion, prezantoi rekomandimin për miratimin e raportit të punës së Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin e kaluar.
Në mungesë të kuorumit, gjashtë raportet e fundit pritet të votohen në mbledhjen e radhës të Kuvendit. Nuk pati kuorum as për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Konventës për heqjen e Kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961), për të cilën nevojiteshin 80 deputetë prezentë.
Edhe në këtë mbledhje, nuk ishin të pranishëm deputetët e grupeve parlamentare në opozitë.