Lajmet e fundit
Përfundoi sot mbledhja e parë e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë
E Marte, 17.05.2016
MSA-ja jo vetëm që shënon një fillim të ri të marrëdhënieve tona, por shënon marrëdhënien e parë kontraktuese dhe të detyruar ndërmjet Kosovës dhe BE-së, tha Johannes Hahn.
Bashkëveprimi i rinisë kudo në Evropë, siguron një të ardhme të sigurt për të gjitha popujt, u tha gjatë takimit.
Mbledhja e ardhshme e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, do të mbahet në Strasburg, më datë, 23-24 nëntor 2016.
Fuqizimi i rinisë dhe anti-radikalizmi, dialogu social, shëndetësia, arsimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, në veçanti e grupeve vulnerabël dhe e pluralizmit të mediave, ishte temë e debati të sotëm gjatë vijimit të mbledhjes së parë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë.
Këtë mbledhje e kryesoi përfaqësuesi i Komisionit të PE-së, Tonino Picula, i cili në hapje të takimit shprehu kënaqësinë e tij, për, siç tha ai, fillimin e mbarë të punës ndërmjet dy komisioneve homologe.
Diskutuesja e parë në këtë debat, eurodeputetja, Dubravka Suica, u angazhua për rolin e të rinjve në shoqëri, ndërkaq, vëmendje i kushtoi edhe krijimit të mundësive për integrimin e tyre sa më të madh në trendin e vlerave evropiane.
Punësimi, ndërmarrësia, sporti dhe rekreacionet, sipas saj janë gjëra për të cilat rinia duhet të kujdeset, sepse, u shpreh ajo, këto ndikojnë edhe në parandalimin e ndikimit të ideve devijante, siç janë radikalizmi islamik dhe çështje të tjera të kësaj natyre. Ajo po ashtu vlerësoi se rinia kosovare duhet të përfshihet edhe më shumë në programet sociale në kuadër të BE-së, ndërkaq, vlerësoi se edhe Qeveria e vendit duhet që çështjet që kanë të bëjnë me rininë t'i trajtojë me prioritet.
Në këtë frymë u angazhua më pas deputetja e Kuvendit të Kosovës, Selvie Halimi, e cila duke vlerësuar marrëveshjen e MSA-së, tha se ajo do të ndikojë edhe në integrimin e rinisë sonë. Ajo vuri në pah më pas moshën e popullsisë në Kosovë, e cila, sipas saj, mëse gjysma ka moshën prej 25 vjeçëve.
Për rolin e rinisë, përkatësisht, edukimin e saj në frymën sa më pro perëndimore, u angazhua më pas deputetja e PE-së, Xhuli Vord.
Ajo vlerësoi se krijimi i mundësive për bashkëveprim të rinisë kudo në Evropë, siguron një të ardhme të sigurt për të gjitha popujt. Integrimi ndërkulturor, tha ajo, ndikon në heqjen e paragjykimeve dhe për të arritur këtë, sipas saj duhet të praktikohet të mësuarit joformal. Ky lloj i të mësuarit, u shpreh ajo, zhvillon të vepruarit kritik, kundruall dukurive që mund të paraqiten rrezik për paqen dhe bashkëjetesën ndërmjet popujve.
Në këtë kuptim, u angazhua edhe deputeti, Visar Ymeri, i cili vlerësoi se rinia në vendin tonë trajtohet në mënyrë joadekuate kundruall nevojave që ata kanë. Sipas tij, Qeveria, lidhur me nevojat e rinisë duhet të kujdeset që problemet t'ua zgjedhë në mënyrë kolektive, e jo në mënyrë individuale, gjë që sipas tij aktualisht është praktikë e të vepruarit.
Në vijim të debatit, u diskutua për shëndetësinë, të drejtat e njeriut dhe lirinë e mediave.
Panelistët e këtij debati, përkatësisht deputetët: Ismet Beqiri, Time Kadrijaj, Kujtim Paçuku, Tanja Fajon dhe Lunaqek, nga këndvështrimi i tyre paraqitën gjendjen, të arriturat dhe sfidat në këtë fushë. Me këtë rast, u vu re qasja e tyre, sipas së cilës duhet shikuar dhe trajtuar këto çështje në shoqërinë tonë.
Me këtë rast, po ashtu u vu në dukje angazhimi i Qeverisë për rregullimin sa më efikas të atyre sektorëve që do të ndikonin në jetën sa më të mirë të qytetarëve. Ndër angazhimet që u theksuan me këtë rast, ishte përafrimi i legjislativit me atë të BE-së.
Përsa i përket të drejtave të komuniteteve, ndërkaq, deputetët: Nenad Rashiq e Kujtim Paçaku, vunë në dukje shembullin e mirë që ofron Kosova me të drejtat e garantuara për komunitet pakicë.
MSA-ja është një hap historik dhe një arritje e jashtëzakonshme.
Në ndërkohë, punimeve të këtij takimi u është bashkangjitur edhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, Johannes Hahn, i cili të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë rasti duke nënvizuar:
"Është ndjenjë e shkëlqyer që të marr pjesë në këtë takim inaugurues të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim. Jam posaçërisht i gëzuar që ky është organi i parë institucional që është themeluar në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit për Kosovën, që hyri në fuqi më një prill".
MSA-ja, tha në vijim Hahn, është një hap historik dhe një arritje e jashtëzakonshme. Ajo, jo vetëm që shënon një fillim të ri të marrëdhënieve tona, por shënon marrëdhënien e parë kontraktuese dhe të detyruar ndërmjet Kosovës dhe BE-së, e cila mbulon si të drejtat ashtu edhe obligimet e palës.
Foli më pas edhe për sfidat që duhet tejkaluar në përmbushjen e agjendës evropiane, siç janë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në drejtësi, si dhe çështje të tjera në funksion të konsolidimit të shtetit ligjor.
Në fund të takimit, kryesuesi bëri të ditur se mbledhja e ardhshme e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, do të mbahet në Strasburg, më datë, 23-24 nëntor 2016.
Pas kësaj, komisionet homologe, bazuar në Rregulloren e Punës, e cila është miratuar gjatë takimit të djeshëm, miratuan edhe një deklaratë të përbashkët, e cila përmbante 49 amendamente, të propozuara nga komisionet e të dyja parlamenteve (Komisioni i Kuvendit të Kosovës dhe ai i PE-së).
Në përmbyllje të takimit, kryetarët e të dyja komisioneve, përkatësisht, Xhavit Haliti dhe Tonino Picula, mbajtën konferencë për media, në të cilën paraqitën të arriturat gjatë takimit, si dhe agjendën për të ardhmen.