Lajmet e fundit

Mbledhja e parë e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë

E Hënë, 16.05.2016




Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj, iu janë shumë mirënjohës, sepse ju jeni ata që më së shumti e keni përkrahur agjendën e Kosovës në rrugën e integrimit të saj në BE", tha kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Kosova do të vazhdojë e përkushtuar në përmbushjen e agjendës evropiane, duke përmbushur obligimet që dalin nga nënshkrimi i marrëveshjes së MSA-së, tha kryeministri, Mustafa.

Zhbogar tha se Kosova është pjesë e shumë programeve zhvillimore të BE-së.

Opozita shpërfaq qëndrime të pandryshueshme lidhur me dialogun dhe demarkacionin.


Sot në Kuvendin e Kosovës, u mbajt takimi i parë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë - BE.
Takimi është bashkëkryesuar nga Xhavit Halitit, nënkryetar i Kuvendit, si dhe kryetar i këtij Komisioni, si dhe Tonino Picula, kryesues i delegacionit të PE-së.
Me këtë rast, kryesuesi i takimit, Haliti, tha:" Ky takim, me vlera shumëdimensionale, që po hap punimet thuajse vetëm pas një muaji e gjysmë nga hyrja në fuqi e MSA-së mes BE-së dhe shtetit më të ri evropian, është konfirmim i interesimit, i seriozitetit dhe i nxitjes dashamirëse të BE-së për realizimin sa më parë të "kontratës së parë historike" (MSA-së), mes saj dhe shtetit tonë të ri.
Si bashkëkryesues i këtij takimi të parë mes përfaqësuesve të dy parlamenteve, në cilësinë e përfaqësuesit të vendit mikpritës u nderova me dhënien e së drejtës për hapjen e këtij takimi historik për Republikën e Kosovës".
Në vijim, të pranishmëve iu drejtuan udhëheqësit e institucioneve të vendit, përkatësisht, kryeparlamentari, Kadri Veseli, kryeministri, Isa Mustafa, si dhe ministri i Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, të cilët këtë takim e vlerësuan si ngjarje historike për vendin.
Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, me këtë rast, pasi vuri në pah rëndësinë e këtij takimi, falënderoi deputetët e Parlamentit Evropian për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj.
"Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj, iu janë shumë mirënjohës, sepse ju jeni ata që më së shumti e keni përkrahur agjendën e Kosovës në rrugën e integrimit të saj në BE", tha kreu i Kuvendit, Veseli. Ai në vijim përmendi rezolutat e miratuara nga PE-ja në fazën e shtet ndërtimit të vendit, e që kishin të bënin me periudhën e para dhe pas luftës në Kosovë, deri te shpallja e Pavarësisë së saj.
Ai në vijim u zotua se Kuvendi do të përmbushë agjendën legjislative, si dhe do të kontribuojë fuqishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Për rolin e takimit të sotëm foli edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa, i cili u fokusua edhe në rëndësinë që paraqet nënshkrimi i marrëveshjes së MSA-së, veçanërisht në aspektin ekonomik.
Ai vlerësoi se nënshkrimi i marrëveshjes së MSA-së për Kosovën, paraqet një kapitull të ri në rrugën e saj për integrimin e plotë në BE. Foli më pas për lehtësirat e kësaj marrëveshje, veçanërisht në fushën e të bërit biznes, lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave.
Ai po ashtu u shpreh i bindur se Kosova do të vazhdojë e përkushtuar në përmbushjen e agjendës evropiane, duke përmbushur obligimet që dalin nga nënshkrimi i marrëveshjes së MSA-së.
Do të punojmë fuqishëm, tha më pas kryeministri Mustafa, në vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë, ndërkaq, pjesë e veçantë e agjendës evropiane mbetet zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, tha ai.
Në këtë frymë foli edhe ministri i Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku. Ai me këtë rast tha: " Nënshkrimi i marrëveshjes së MSA-së dhe fillimi i zbatimit të saj, paraqet pikënisje të re në konsolidimin e shtetit demokratik".
Foli më pas përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, i cili vuri në dukje të arriturat e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në BE, si dhe sfidat që duhet tejkaluar për arritjen e sukseseve edhe më të mëdha.
Pasi vuri në pah se Kosova tashmë është pjesë e shumë programeve zhvillimore të BE-së, ai po ashtu rikujtoi hapat që duhet ndërmarrë në luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e gjyqësorit, si dhe luftën kundër krimit të organizuar, për të cilat vlerësoi se duhet ndërmarrë hapa konkret në eliminimin e këtyre dukurive. Ndër sfidat e tjera, e që kishin të bënin me liberalizimin e plotë të vizave, ai përmendi Demarkacionin me Malin e ZI, si dhe zhvillimin e mëtejmë të dialogut me Serbinë.
Në kuadër të rendit të ditës, foli më pas Tonino Picula, i cili vlerësoi se të arriturat e Kosovës janë sukses i përbashkët me PE-në, ndërkaq, kujtoi se institucioni më i lartë evropian (PE), përpos përkrahjes së vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, ai po ashtu ka adresuar edhe kritika ndaj saj, me qëllimin më të mirë të evitimit të pengesave që shfaqen në rrugën e integrimeve.
Për të arritur suksese edhe më të mëdha në rrugën e saj të integrimeve, sipas nënkryetares së PE-së, njëherësh raportuese për Kosovën, Ulrike Lunaqek, Kosova duhet të jetë edhe më e përkushtuar.
Ajo vuri në spikamë sfidat që gjenden para nesh, siç janë: çështjet sociale, zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit, pavarësia e gjyqësorit, si dhe çështje me të tjera me të cilat ballafaqohemi. Po ashtu, Lunaqek, vuri në pah edhe kushtet për liberalizim të plotë të vizave, me ç'rast vuri në dukje ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi dhe luftën kundër korrupsionit. Me këtë rast, ajo po ashtu u angazhua për një bashkëpunim ndërmjet pozitës dhe opozitës, i cili sipas saj është kusht në arritjen e sukseseve.
Për dialogun politik në kuadër të angazhimeve pozitë - opozitë, foli edhe eurodeputetja, Tanja Fajon. Ajo u shpreh e lumtur që gjatë zhvillimeve të këtij takimi ishte pjesëmarrëse edhe opozita, ndërkaq, vlerësoi se agjenda evropiane duhet t'i bashkojë të gjithë.
Në vijim, eurodeputetët: Dubravka Suica dhe Jozo Radosh, u angazhuan në ofrimin e përvojave personale në arritjen e objektivave të Kosovës. Sikurse parafolësit, ata vlerësuan se tejkalimi i sfidave arrihet në një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet vete, ndërkaq, nga institucionet kërkuan angazhim edhe më të madh në luftimin e dukurive që pengojnë në përmbushjen e agjendës evropiane. Deputetët: Sabri Hamiti, Adem Garabovci, Ismet Beqiri, Pal Lekaj, Donika Kadaj -Bujupi, Muhamet Mustafa, Nenad Rashiq, Valdete Bajrami dhe Visar Ymeri, ndërkaq, folën nga këndvështrime të ndryshme lidhur me rrugën e integrimeve. Dallimet që u vënë në pah me këtë rast, ndërmjet përfaqësuesëve të pozitës dhe atyre të opozitës, kishin të bënin kryesisht me çështje tashmë të ditura, siç janë bisedimet me Serbinë dhe Demarkacioni me Malin e Zi.
Pas këtyre diskutimeve ka përfunduar mbledhja sotme e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Kosovë - BE, ndërkaq, vazhdimi i saj do të jetë nesër, duke filluar në orën 9:00.