Lajmet e fundit

Fjala kryetarit të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, Xhavit Halitit, mbajtur në takimin e parë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë

E Hënë, 16.05.2016




Të nderuar kolegë,

Shkëlqesi,

Të nderuar të pranishëm,

Ky takim, me vlera shumëdimensionale, që po hap punimet thuajse vetëm pas një muaji e gjysmë nga hyrja në fuqi e MSA-së mes BE-së dhe shtetit më të ri evropian, është konfirmim i interesimit, i seriozitetit dhe i nxitjes dashamirëse të BE-së për realizimin sa më parë të "kontratës së parë historike" (MSA-së), mes saj dhe shtetit tonë të ri.
Si bashkëkryesues i këtij takimi të parë mes përfaqësuesve të dy parlamenteve, në cilësinë e përfaqësuesit të vendit mikpritës u nderova me dhënien e së drejtës për hapjen e këtij takimi historik për Republikën e Kosovës.
Dëshiroj të falënderoj në veçanti, për ndihmesën dhe kontributin këmbëngulës e produktiv për nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të MSA-së si dhe për organizimin e takimit të sotëm, Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë, z. Samuel Zbogar.
Me bindjen në mirëkuptimin Tuaj, do të veçoj në këtë fjalë një përshëndetje për bashkëkryesuesin e këtij takimi, z. Tonino Picula. Raporti mes nesh në këtë mbledhje si bashkëkryetarë shpall dhe konfirmon vlerën e MSA-së, si marrëdhënie kontraktuale, mes BE-së dhe Kosovës, që kushtëzon respektin e ndërsjellë, mirëbesimin dhe bashkëpunimin më të shpeshtë e të frytshëm. Për këtë arsye, i uroj z. Picula,veç mirëseardhjes, edhe punë të mbarë e suksese në zhvillimin e punimeve të këtij takimi.
Dëshiroj dhe uroj që së bashku ta menaxhojmë dhe finalizojmë në funksion dhe favor të fuqizimit të mbështetjes së BE-së për Kosovën dhe të lidhjeve ndërvepruese për të tejkaluar, në sa më pak kohë MSA-në, për t'u afruar sa më parë rrugëhapjes për kërkimin zyrtar nga shteti ynë
të statusit të kandidatit për t'u anëtarësuar në BE.

Po ashtu, dëshiroj të përshëndes vendimin e Komisionit Evropian që të rekomandoj regjimin pa viza për qytetarët e Kosovës dhe shpresoj shumë që Këshilli do ta miratojë atë sa më shpejt që është e mundur.
Disa ditë më parë, gjatë vizitës në Kosovë, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, znj. Federica Mogherini deklaroi: "...Kosova është pjesë e Evropës dhe BE-ja, së bashku me autoritetet në Kosovë po punojnë për integrimin evropian të vendit". E vlerësojmë, sepse na pëlqen ky vlerësim i Ministres së Jashtme të BE-së, por njëherësh, jemi, dhe do vazhdojmë të jemi të ndërgjegjshëm se si shtet jemi ende larg integrimit në Bashkimin Evropian dhe sigurisht do të na duhet një përkushtim edhe më i madh në rrugën e integrimit.

Shkëmbimi i pikëpamjeve, në këtë takim në mes Komisionit Parlamentar të BE-së dhe përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës, është një ndihmesë e çmueshme për problematikën dhe rrugëzgjidhjet përkatëse, që hapin horizonte, nxitin dhe ndriçojnë rrugëtimin tonë në përpjekjet për realizimin e pëlqyeshëm të deklaratës dhe rekomandimeve të Këshillit të Stabilizim - Asociimit. Çështjet që do të parashtrohen, trajtohen e diskutohen në këtë takim shënojnë piketa të domosdoshme e tepër domethënëse për ecjen e sigurt të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në BE. Konsolidimi i shtetit tonë, fuqizimi i demokracisë sonë të brishtë, funksionimi efiçentë i institucioneve shtetërore, ndërtimi i shtetit të së drejtës dhe lufta pa kompromis ndaj korrupsionit kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten objektivat tona imediate për më shumë arritje.
Në funksion të realizimit të këtyre objektivave janë dhe të gjitha çështjet, për të cilat do të flitet e do të diskutohet në këtë takim.
Gjithçka është e qartë dhe e mundshme për t'u realizuar, nëse shteti dhe pushteti janë të angazhuar realisht e konsekuentë për arritje të rezultateve pozitive në të gjitha drejtimet e parashtruara. Ëndrra, aspiratë dhe dëshira e qytetarëve të Kosovës është integrimi sa më i shpejtë i Kosovës në BE.
Mendoj dhe dëshiroj që partitë dhe elita politike të marrë në konsideratë dhe të përpiqet të kuptojë domethënien e organizimit të takimit të parë të Komisionit Parlamentar BE-Kosovë për Stabilizim Asociim vetëm pak kohë pas hyrjes në fuqi të MSA-së dhe të mesazheve që përcolli zhvillimi i tij për mbarë qytetarët tanë, për ekzekutivin, legjislativin dhe gjyqësorin tonë, për partitë dhe politikanët, madje edhe për fqinjët tanë shtetëror.
Në mbyllje të kësaj fjale dua të vë në dukje se ky takim nuk është bashkëpunimi i parë i Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës. Për vite të tëra, të dyja parlamentet kanë pasur një bashkëpunim të frytshëm. Por, nënshkrimi i MSA-së dhe hyrja e saj në fuqi ka ofruar bazën ligjore për krijimin e trupave të përbashkët ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe BE-së. I pari ndër ta, që do të themelohet gjatë këtij takimi, është Komisioni i Përbashkët Parlamentar për Stabilizim-Asociim.
Edhe një herë iu falënderoj dhe njëherësh iu uroj punime të mbara në këtë takim.