Lajmet e fundit

U mbajt Akademi Përkujtimore me rastin e 35-vjetorit të rënies së Tahir Mehës

E Premte, 13.05.2016




Sot, në 35-vjetorin e rënies heroike të Tahir e Nebih Mehës, nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, u mbajt Akademi Përkujtimore.


Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli vlerësoi figurën e këtij atdhetari dhe heroi të Kosovës, i cili, këtu i 35 vite më parë, në kullën e tij, në Prekazin heroik, së bashku me babanë, Nebihun, 13 majin - festën e njësive policore jugosllave, e ktheu në mort të tyre.


Atë ditë, nga hotel "Adriatiku" në Mitrovicë, shtoi kryetari Veseli, njësitë speciale policore ishin nisur drejt Prekazit, të ekzaltuara nga festa e tyre dhe të dehura nga urrejtja për shqiptarët. Në një betejë tërëditore, forcat shtypëse nuk kishin arritur ta arrestonin as vritnin Tahir Mehën, përderisa nuk e shembën me tank kullën e tij.


"Tahir e Nebih Meha ranë heroikisht, ashtu siç i kishin mësuar të parët e tyre, të vdesësh me nder për nderin e vendit tënd. Në fundin e asaj dite, regjimi represiv jugosllav do të dridhej nga themelet e tij", theksoi kryetari Veseli.
Lufta e Tahir Mehës, shtoi kryetari Veseli, pasoi pranverën e përgjakshme të studentëve dhe popullit të Kosovës, e cila e kishte dhënë mesazhin e saj të madh: shqiptarët e Kosovës nuk mund të mashtroheshin me të drejta gjysmake politike dhe masa gjysmake ekonomike, që u ofronte federata jugosllave.


Lëvizja jonë kombëtare për lirinë e Kosovës, tha në vazhdim të fjalës së tij kreu i Kuvendit, doli shumë më e pjekur dhe më e fuqishme nga ngjarjet e vitit 1981, e cila u kthye në vetëdije politike të popullit tonë.


"Në shembullin e Tahir Mehës, ranë Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu. Dhe përsëri në Prekaz, më 5 mars 1998, në shembullin e Tahir Mehës, u zhvillua Epopeja e UÇK-së, në krye me Komandantin Legjendar, Adem Jashari", theksoi kryetari Veseli.


Veseli shtoi se është detyrë e jona që lirinë e sotme, ta zhvillojmë më tutje, duke e kthyer në lirinë e kuptuar si zhvillim ekonomik, si mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë, duke i dhënë vendit një të ardhme krenare.


Gjatë paradites së sotme, në shenjë nderimi për veprën e Tahir e Nebih Mehës në shërbim të kombit e të atdheut, kryetari Veseli bëri homazhe dhe vendosi lule pranë varreve të tyre në Prekaz.

 

 

 U mbajt Akademi Përkujtimore me rastin e 35-vjetorit të rënies së Tahir Mehës U mbajt Akademi Përkujtimore me rastin e 35-vjetorit të rënies së Tahir Mehës U mbajt Akademi Përkujtimore me rastin e 35-vjetorit të rënies së Tahir Mehës U mbajt Akademi Përkujtimore me rastin e 35-vjetorit të rënies së Tahir Mehës