Lajmet e fundit
Komisioni për Integrime Evropiane priti një delegacion parlamentar nga Danimarka
E Enjte, 12.05.2016
Komisioni për Integrime Evropiane , i drejtuar nga Njomëza Emini, kryetare e Komisionit, ka pritur sot një delegacion nga Komisioni për Çështje Evropiane në Parlamentin e Danimarkë, të kryesuar nga znj.Mette Gjerskov.
Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë znj.Emini e ka falënderuar shtetin e Danimarkës për gjithë mbështetjen që i ka dhënë shtetit të ri të Kosovës. Ajo, ndërkaq, e ka quajtur lajm të mirë për Kosovën rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë në zonën e Shengenit.
Kryesuesja e delegacionit parlamentar nga Danimarka, Mette Gjerskov, duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë dhe pritjen e ngrohtë që u është rezervuar, ka shfaqur gatishmërinë e parlamentit të vendit të saj për thellim të bashkëpunimit me Kuvendin e Kosovës dhe këmbim të ndërsjellët përvojave. Ajo dhe përfaqësues të tjerë të këtij delegacioni kanë dhënë sqarime në interesimet e deputetëve kosovarë, të pranishëm në takim , për praktikat e komisionit homolog nga Danimarka në marrëdhëniet me institucione të tjera të vendit, sidomos me përfaqësues të ekzekutivit, para se ata të mbajnë qëndrimin e vendit të tyre në institucionet përkatëse të BE-së.
Parlamentarët danezë kanë theksuar se punë të shumta e presin Kosovën, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe pengimin e migrimit ilegal të qytetarëve.