Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi një delegacion të Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit të Danimarkës
E Mërkure, 11.05.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, takoi sot një delegacion të Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit të Danimarkës, të kryesuar nga Mette Gjerskov.
Duke shprehur kënaqësinë për rritjen e komunikimit e të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, përkatësisht, dy parlamenteve respektive, kryetari Veseli shprehu interesimin që ky bashkëpunim të thellohet e zgjerohet edhe më tej, duke e konsideruar përvojën parlamentare daneze shumë të vyer për Kosovën dhe Kuvendin e saj.
Kryetari Veseli e njoftoi delegacionin parlamentar nga Danimarka për zhvillimet aktuale në vendin tonë, për të arriturat dhe sfidat e shtetit të Kosovës, ndërsa vendimet e fundit të institucioneve të ndryshme evropiane lidhur me Kosovën, i konsideroi të një rëndësie të veçantë për qytetarët e vendit tonë. Veseli tha se MSA-ja dhe liberalizimi i vizave do të kenë efekte pozitive në sferën ekonomike në Kosovë dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve. Përkitazi me këtë, ai theksoi përkushtimin e tij e të institucioneve të Kosovës për ndërtimin e shtetit ligjor, vazhdimin e luftës kundër korrupsionit, ndërtimin e raporteve sa më të mira me të gjithë fqinjët, rritjen e transparencës së Kuvendit dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve.
Parlamentarët danezë, nga ana e tyre, shprehën interesimin për proceset politike e ekonomike nëpër të cilat është duke kaluar vendi ynë, ndërsa theksuan përkrahjen e shtetit të tyre për Kosovën, në rrugëtimin e saj euro-integrues. Ata u shprehën të kënaqur që patën mundësinë të njihen me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe të arriturat e saj në shumë lëmenj.