Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 11.05.2016




Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi kryetari i komisionit, Naser Osmani, shqyrtoi një varg raportesh të komisioneve dhe agjencioneve të pavarura.

Në fillim të mbledhjes, Komisioni mori vendim që me propozimin për shmangieje nga Rregullorja e Punës së Kuvendit, Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, të radhitet në rend dite në seancën plenare, e cila do të mbahet më 18 maj. Ky Projektligj është përkrahur në mbledhjen e djeshme të komisionit.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e Raportit Vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPK) për vitin 2015, të cilin e paraqiti Safet Hoxha, kryetar i këtij Komisioni.

Ai nënvizoi se gjatë vitit të kaluar, në nivel vendi janë nënshkruar 10895 kontrata publike, të udhëhequra sipas Ligjit për Prokurimin Publik të Kosovës, duke përfshirë të gjitha llojet e vlerave të kontratave.

Për sa i përket vlerës së kontratave të nënshkruara, Hoxha, vuri në spikamë se gjatë vitit 2015, ato kanë arritur vlerën e 401, 843, 625.10 euro, ndërkaq, së bashku me kontratën për autostradën, Prishtinë -Hani i Elezit, arrijnë vlerën prej 516, 420, 675.10 euro.

Foli më pas edhe për përgatitjet që KRPK-ja është duke bërë për të jetësuar projektin e prokurimit elektronik në Kosovë.

Pas shqyrtimit, Komisioni e përkrahu këtë raport, por, kërkoi që të plotësohet edhe më tej me disa të dhëna në aspektin buxhetor të KRPK-së.

Më të njëjtat vërejtje, komisioni ka miratuar edhe Raportin Vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik për vitin 2015, Raportin vjetor financiar të Komisionit të Pavarur për Media vitin 2015, Raportin financiar vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2015, si dhe Raportin vjetor financiar të Agjencisë Kundër Korrupsionit vitin 2015.

Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu po ashtu edhe Projektligjin për Kinematografinë së bashku me amendamentet e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport.

 

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa