Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Mërkure, 11.05.2016




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, i kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën diskutoi lidhur me arsimin e lartë në Republikën e Kosovës.

Për të shtjelluar këtë çështje, në mbledhje mori pjesë edhe kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), Blerim Rexha.

Ai me këtë rast informoi Komisionin për punën që është duke bërë ky këshill, si dhe sfidat në të cilat hasin për arritjen e një cilësie sa më të lartë.

Duke folur për cilësinë e programeve të studimit, Rexha, vuri në pah se angazhimet lidhur me këtë janë aktivitet periodik i KSHC-së, ndërkaq, në vijim njoftoi se i tërë procesi bazohet në vlerësimin e dokumenteve të dorëzuara nga institucioni vlerësues.

Duke folur për institucionet e akredituara ai bëri të ditur se në vendin tonë, aktualisht ka 7 universitete publike, 25kolegje, 2 shkolla të larta profesionale dhe një Akademi.

Kryetari i KSHC-së, Rexha, foli edhe për kriteret e akreditimit, për të cilat vuri në spikamë faktin e mungesës së stafit të kualifikuar akademik në arsimin e lartë. Kjo, sipas tij, vazhdon të jetë sfidë, e cila reflekton në cilësinë e institucioneve dhe të kuadrit që ndjek studimet.

Ai në fund të fjalës së tij premtoi angazhim edhe më të madh në përmirësimin e cilësisë së arsimit, ndërkaq, për të arritur këtë objektiv kërkoi përkrahjen edhe të komisionit.

Anëtarët e komisionit nga ana e tyre, ndërkaq, vlerësuan se KSHC-ja është në rrugë të mbarë në përmbushjen e qëllimit të saj, por kërkoi që kujdes edhe më i madh të tregohet në programet e akredituara.

 

 

 Mbledhja e Komisionit për Arsim...