Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Mërkure, 11.05.2016
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryetari Kadri Veseli, sot, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, caktoi dy seancat e ardhshme të Kuvendit: më 18 dhe 25 maj.
Në seancën e 18 majit, fillimisht, do të shqyrtohen dhe votohen pikat e papërfunduara nga seanca plenare, mbajtur më 28 dhe 29 prill, përkatësisht: Projektligji për ratifikimin e Konventës për heqjen e Kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961), Projektligji për Akademinë e Drejtësisë dhe Projektligji për patentë shofer. Do të votohen, gjithashtu, anëtarët e Bordit Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit, raporti i Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, raporti i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, si dhe raporti i Performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2014.
Më pas, do të vazhdohet me shqyrtimin për herë të parë të Projektligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Shqyrtimi i këtij projektligji do të bëhet me procedurë të përshpejtuar, duke u shmangur nga Rregullorja e Kuvendit.
Më pas, pritet shqyrtimi i propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, shqyrtimi i Raportit të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2015, shqyrtimi i Raportit të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2015, si dhe formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.