Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisioni për Legjislacion...

E Marte, 10.05.2016




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga nënkryetarja e Komisionit, znj. Selvije Halimi, shqyrtoi raportin vjetor të punës së Agjencisë Kosovare te Pronës dhe raportin vjetor të Institutit Gjyqësor të Kosovës, për vitin 2015.
Raportin e punës së Agjencisë Kosovare te Pronës për vitin 2015 para deputetëve e paraqiti znj. Florie Kika. Ajo e njoftoi Komisionin me të arriturat dhe sfidat që ka ky institucion,ndërkaq si shqetësim u diskutua çështja e ri-uzurpimeve dhe raporti me gjykatat për këto raste. Po ashtu, u diskutua edhe nevoja e miratimit të ligjit për Agjencinë Kosovare për verifikim dhe krahasim të pronave.


Raportin vjetor të Institutit Gjyqësor të Kosovës,për vitin 2015, ndërkaq, e paraqiti z. Besim Morina i cili adresoi një mori shqetësimesh që kishin të bënin me dispozitat e ligjeve për Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, Prokurorin e Shtetit dhe Ligjin për gjykatat e që shkaktojnë paqartësi të theksuara ligjore në raport me Ligjin për Themelimin e Institutit Gjyqësor të Kosovës, sidomos tek ndarja e kompetencave. Pas, diskutimeve nga ana e anëtarëve të Komisionit, u rekomandua procedimi për miratim në Kuvend i të dy raporteve.


Tutje, Komisioni përkrahu amendamentin e propozuar nga Komisioni për Buxhet dhe financa në Projektligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim te Pronës dhe vendosi që Projektligji të procedohet për shqyrtim të dytë në Kuvend.


Komisioni shqyrtoi edhe Projektligjet e Komisioneve funksionale si: Projektligjin për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës, Projektligjin për Kinematografinë dhe Projektligjin për Energjinë Elektrike. Vërejtje u adresuan në Projektligjin për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës dhe u kërkua nga komisioni funksional që të bëhet harmonizim me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik. Ndërsa Projektligji për Kinematografinë u vendos të ti kthehet Komisionit funksional që i njëjti të rishikohet në tersi, kurse pa vërejte ishte Projektligji për Energjinë Elektrike.

 Nga mbledhja e Komisioni për Legjislacion...