Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie
E Marte, 10.05.2016
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli zhvilloi sot takim me Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, z. Greg Delawie. Gjatë takimi ambasadori Delawie i uroi kryetarit Veseli zgjedhjen kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe suksese në përgjegjësitë e reja politike.
Më tutje në takim u bisedua për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave, pas rekomandimit pozitiv të dhënë nga Komisioni Evropian. Ambasadori Delawie me këtë rast theksoi se kjo është tregues i qartë se institucionet e Kosovës janë duke përmbushur përgjegjësitë e tyre karshi qytetarëve dhe obligimet që dalin nga procesi i integrimeve evropiane.
Delawie shtoi se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë të mbështes Kosovën në të gjithë hapat e saj të zhvillimit dhe integrimeve evropiane.
Nga ana e tij, kryetari Veseli falënderoi ambasadorin Delawie për urimet e tij, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ai si ambasador dhe Uashingtoni japin për vendin tonë në të gjitha drejtimet, duke theksuar se " Kosova është e sigurt në rrugën e saj, pasi që vazhdon si një storie e përbashkët suksesi e Prishtinës, Uashingtonit dhe Brukselit".