Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi një delegacion nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme
E Premte, 06.05.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim një delegacion të gjerë nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme, të kryesuar nga dr. Harald Kindermann, Sekretar gjeneral i Këshillit.
Kryetari Veseli i njoftoi mysafirët nga Gjermania për zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, për situatën politike në vend, veçanërisht, pas vendimeve shumë të rëndësishme të institucioneve evropiane për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, liberalizimin e vizave dhe pranimin e Kosovës në UEFA.
Veseli theksoi ndikime pozitive që këto vendime do të kenë për Kosovën dhe qytetarët e saj, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe sa i përket perspektivës evropiane dhe përfaqësimit ndërkombëtar të vendit.
Kreu i Kuvendit potencoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të vazhduar punën në agjendën e euro-atlantike të shtetit, avancimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Kryetari Veseli foli po ashtu, edhe për raportet e shkëlqyeshme që Kosova dhe Gjermania kultivojnë midis tyre.
Përfaqësuesit e Këshillit Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme, nga ana e tyre, u interesuan për situatën aktuale në Kosovë, zhvillimet që shoqëruan jetën parlamentare të Kosovës në muajt e fundit, për procesin e integrimit evropian të saj dhe një varg zhvillimesh të tjera.