Lajmet e fundit

Kuvendi mban seancë solemne me rastin e rekomandimit për liberalizimin e vizave

E Enjte, 05.05.2016




Duke e hapur seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e rekomandimit nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në zonën Shengen, kryeparlamentari, Kadri Veseli ka përshëndetur krerët e lartë institucional të Kosovës, Thaçi e Mustafa, ambasadorin e SHBA-ve, Delaëie, përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, Zhbogar dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë në Prishtinë, më pastaj i është drejtuar mysafires së lartë nga BE-ja:

"E nderuara Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, znj. Federika Mogerini.


Zonja dhe zotërinj

Është kënaqësi dhe nderë i veçantë, që në këtë javë historike për Kosovën, të kemi mysafir në Kuvendin e Kosovës, zonjën Fedrika Mogerini.


Prezenca juaj e sotme në Kuvendin e Kosovës, shpreh, jo vetëm frymën pozitive të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, por edhe avancimin real të këtij bashkëpunimi", ka theksuar kryeparlamentari veseli, duke pohuar se nënshkrimi, kohë më parë, i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, dhe Rekomandimi i djeshëm pozitiv i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, janë tregues të qartë se procesi i integrimit evropian të Kosovës është duke lëvizur përpara. Me këtë rast ai ka përkujtuar se krejt kësaj i bashkohet edhe lajmi i pranimit të vendit tonë në shtëpinë evropiane të futbollit në UEFA.


"Kosova, natyrshëm dhe me plot të drejtë, po fillon të zë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të demokracive evropiane", ka spikatur kreu u Kuvendit, duke shtuar se ky është qëllimi që na bën bashkë të gjithëve sot në Kosovë,
- institucionet dhe qytetarët,
- shoqërinë civile dhe mediat,
- të gjitha grupet sociale dhe të gjitha komunitetet.
"Ne jemi krenarë për konsensusin e fuqishëm pro-evropian që kemi në Kosovë. Ne, gjithashtu jemi të vetëdijshëm, se kemi shumë punë për të kryer dhe shumë rrugë për të bërë, që ëndrrën tonë evropiane ta kthejmë në realitetin e prekshëm të shoqërisë kosovare", ka thënë Veseli, duke u zotuar se do të mobilizojmë të gjitha kapacitetet dhe energjitë tona institucionale e njerëzore që Kosova të marrë vendin e saj të natyrshëm në Bashkimin Evropian. Sa më parë që është e mundur!
• Kjo nënkupton një demokraci të konsoliduar,
• me sundim të ligjit, dhe luftim efektiv të korrupsionit e krimit të organizuar
• nënkupton respektim të plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut,
• dhe një ekonomi që zhvillohet për të qenë në gjendje të përballoj tregun e lirë evropian.


"Përfshirja e qytetarëve të Kosovës në lëvizjen e lirë evropiane është një hap i madh dhe një ndihmesë e madhe në këtë drejtim.


Qytetarët tanë, në veçanti të rinjtë, tani do të kenë mundësinë të njohin më mirë Bashkimin Evropian.
Të rinjtë tanë janë evropianët e rinj, të gatshëm për t'i shprehur talentet e tyre në çdo fushë të jetës.


Kosova dhe Evropa kanë nevojë për energjinë e tyre krijuese",ka thënë Veseli, duke pohuar se bizneset tona, duke shfrytëzuar mundësitë e MSA-së, do të kenë më lehtë të ndërtojnë partneritete zhvillimore me bizneset evropiane dhe të gjejnë tregje për prodhimet kosovare dhe se e gjitha kjo sjell natyrshëm zhvillimin dhe përshpejton integrimin. Pastaj duke e falënderuar zonjën Mogerini për prezencën e saj në Kuvendin e Kosovës, e ka ftuar për një fjalë rasti para deputetëve.


Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, Federica Mogherini, duke falënderuar deputetët që këtu sot janë të bashkuar, ashtu siç jenë duke i treguar BE-së se kemi fuqi të bashkohemi.


"Secili prej nesh, me të gjitha dallimet tona qëndrojmë të bashkuar rreth agjendës evropiane dhe na mban në bashku. Sot e festojmë fuqinë e unitetit.", ka thënë ajo, duke pohuar se kjo mund t'i ofrojë ndryshim, që populli i Kosovës, që shteti i Kosovës e dëshiron, duke shprehur besimin e saj se të gjithë kosovarët janë të vetëdijshëm për këtë.


"Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën dhe popullin e saj. Nuk do t'i marr meritat për pranimin në UEFA, por dje megjithatë në Bruksel ia kemi arritur dhe kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm dhe e tëra është bërë duke iu falënderuar punës së secilit prej jush që e ka bërë në bashkëpunim me neve", ka theksuar znj. Mogherini, duke shtuar se sot nuk është një ditë vetëm për festime, është një ditë kur duhet të shikojmë të ardhmen tonë të përbashkët. "Fillojmë të planifikojmë punën që na pret. Para një muaji e njoftuam nënshkrimin e MSA-së mes Kosovës dhe BE-së, kurse dje BE-ja propozoi që të hapet zona e Shengenit për udhëtim pa viza për kosovarët. Këto hapa janë kuptimplotë për popullin tuaj, por, më lejoni të them shumë sinqerisht se këto janë kuptimplota edhe për bashkimin tonë", ka thënë ajo , duke shtuar se këto arritje jemi duke i festuar , jo vetëm këtu, por edhe në BE.


Duke përkujtuar se të hënën do të festohet datëlindja e BE-së , dita e Evropës, Mogherini ka pohuar se ka shumë që besojnë se nuk kemi arsye për të festuar në këto kohëra, sepse për herë të para Unioni Evropian rrezikon që të ec prapa,, në vend se të ecë përpara. Drejt zgjerimit.


"Kur e shoh këtë pjesë të Evropës, përkatësisht Ballkanin, e në veçanti Kosovën, më lejoni të theksoj se unë e shoh të ardhmen e Evropës dhe të Unionit Evropian.", ka thënë përfaqësuesja e BE-së, duke shtuar se Unioni ka të bëjë me paqen dhe stabilitetin dhe se është duke punuar së bashku për pajtimin dhe paqen e vërtetë që duhet të arrihet në Ballkan.


"BE-ja, ka të bëjë me mirëqenien e njerëzve dhe kjo është shumë e qartë kur shohim punën që jemi duke bërë, por duhet të bëjmë edhe shumë për të promovuar rritjen ekonomike, për të luftuar korrupsionin dhe për t'i ofruar popullit mundësi më të mira për të arritur aspiratat e tyre , e sidomos të rinjve" , ka theksuar ajo duke u shprehur optimiste se me punën tonë të përbashkët, e shohim Evropën me potencialin e plotë që ka.


" Është e qartë se ne duhet të bëjmë shumë më tepër që të zhvillojmë ekonominë, ta luftojmë korrupsionin dhe njerëzve t'u afrojmë perspektivë më të mirë", theksoi ajo.


"Mos e shpërfillni dhuratën që po ua jep Bashkimi Evropian. Më lejoni të premtoj se do të vazhdojmë që ta bëjmë Kosovën më të mirë", ka theksuar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, duke u zotuar se ky është përkushtim i saj e duke pohuar se propozimi për lëvizje të lirë në zonën e Shengenit është një dëshmi për punën e madhe të institucioneve të Kosovës.


Mogherini ka shtuar se dialogu Prishtinë-Beograd, nën lehtësimin e saj, ka arritur që ta bëjë jetën më të mirë të qytetarëve të Kosovës, prandaj nga ky dialog nuk duhet të ketë frikë askush .Ndërkaq duke folur lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe ,i ka siguruar deputetët se në Kosovë nuk do të krijohet një qeveri paralele." Asociacioni i komunave do të fuqizojë dhe pasurojë Kosovën duke e lejuar komunitetin serb të integrohet në institucionet e Kosovës", ka thënë Mogherini duke e thënë prerë: "Kosova nuk duhet të bëhet Evropë. Kosova është Evropë!" Ajo ka thënë se në Kosovë sheh një rini evropiane; e sheh një inspirim te ata ,si pas rënies së murit të Berlinit kur gjenerata e saj gjithashtu ishin të rinj e duke i garantuar se Bashkimi Evropian ka nevojë për këtë rini.


Kryeparlamentari Veseli, duke i uruar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe pranimin e Kosovës në UEFA,e ka përfunduar seancën e sotme me shprehjen e minatorëve:"Me fat !"

 

Kuvendi mban seancë solemne me rastin e rekomandimit për liberalizimin e vizave Kuvendi mban seancë solemne me rastin e rekomandimit për liberalizimin e vizave Kuvendi mban seancë solemne me rastin e rekomandimit për liberalizimin e vizave Kuvendi mban seancë solemne me rastin e rekomandimit për liberalizimin e vizave