Lajmet e fundit
GGD priti deputeten e parë shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, znj.Ermina Prljaskaj Lekaj.
E Mërkure, 04.05.2016
Grupi i Grave Deputete i Kuvendit të Kosovës, i prirë nga kryetarja, Blerta Deliu-Kodra, priti sot në takim deputeten e parë shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, znj.Ermina Prljaskaj Lekaj.
Duke i uruar mirëseardhje në Kuvendin e Kosovës deputetes së Parlamentit kroat, kryetarja e GGD-së, Kodra, tha:"Dëshiroj të shpreh gëzimin për fitoren tuaj dhe të shqiptarëve, që kanë arritur të kenë një zë në Parlamentin Kroat dhe ai zë të jetë i një gruaje shqiptare".
Ajo më pas e njoftoi znj. Lekaj për aktivitetet e GGD-së, në veçanti për angazhimet në fuqizimin e rolit të gruas në shoqërinë tonë.
Lidhur me këtë ajo në vijim shtoi: "GGD ka më se 10 vite që është formuar dhe ka për qëllim fuqizimin e gruas në të gjitha nivelet dhe në të gjithë sektorët.
Përqendrimin më të madh e kemi te trajtimi e legjislacionit nga perspektiva gjinore, dhe në këtë mandat kemi aprovuar Ligjin për barazi gjinore, në bazë të të cilit kërkohet përfshirja e barabartë gjinore, në masën deri 50%" .
Ajo më pas njoftoi se këto të arritura të GGD-së janë në harmoni me Rezolutën "Parimet e Prishtinës", e aprovuar kohë më parë në Kuvendin e Kosovës.
Duke folur për angazhimet e gruas në politikë, Kodra më pas e njoftoi atë se GGD-ja, përpiqet për fuqizimin e rolit të grave në partitë politike, ndërkaq, më pas shtoi se ato kanë arritur të kenë bashkëpunim të mirë me grupet e grave në nivelin lokal, si dhe me deputete nga vendet tjera, sidomos me ato nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, por, edhe me ato nga Serbia.
Ajo foli më pas edhe për aktivitetet e vitit të kaluar me rastin e 8 marsit, përkatësisht organizimin e një seance të përbashkët parlamentare me deputetet nga trojet Shqiptare, si dhe shumë takime dhe konferenca me grupet e grave deputete të vendeve tjera.
Në fund të fjalës së saj, Kodra tha se GGD-ja do t angazhohet edhe më shumë në avancimin e rolit të gruas, pa marr parasysh vështirësive që mund të hasin. Deputetja nga Kroacia, znj Ermina Prljaskaj Lekaj, falënderoi GGD-në për pritjen, ndërkaq, më pas foli për përkushtimin e saj, që në Kuvendin Kroat në mënyrën më të dinjitetshme të përfaqësojë pakicën shqiptare atje, si dhe pakicat e tjera siç janë ajo boshnjake dhe malazeze.
Ne jemi nacionaliteti i katërt në Kroaci, tha Lekaj në vijim dhe shtoi: " Do të angazhohem për rritjen e rolit të shqiptarëve atje, sidomos për ta bërë të ditur faktin se shqiptarët janë popull autokton atje dhe të pranohen si të tillë".
Jemi të angazhuar në hapjen e qendrës kulturore, tha më pas deputetja e Parlamentit të Kroacisë, Lekaj, në rritjen e bashkëpunimit me Kosovën, përfshirë krijimin e mundësive të të rinjve kosovarë për tët studiuar në Kroaci, si dhe në hapjen e Odes Ekonomike .
Deputetet, Lirie Kajtazi, Melihate Tërmkoli, Luljeta Veselaj- Gutaj, Besa Gaxherri, Emiljia Rexhepi, Njomza Emini, Mexhide Mjaku- Topalli, Mufera Sinik e Salihe Mustafa, e përgëzuan deputeten Lekaj, për punën e mirë që po e bënë dhe shprehën dëshirën që të rrisin bashkëpunimin me popullatën shqiptare atje, si dhe Grupin e Grave Deputete të Kroacisë.