Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim
E Marte, 03.05.2016
Në mbledhjen e sotme të Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, kryesuar nga zonja Jasmina Zhivkoviq, kryetare e Komisionit, ka raportuar përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me implementimin e Ligjit për Shtetësinë e Kosovës, konkretisht neni 19.
Në mbledhje, krahas anëtarëve të Komisionit, morën pjesë përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, konkretisht Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, në krye me z. Liridon Neziri, përfaqësuesi i KDI dhe Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.
Në fillim kryesuesi i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion z. Neziri ka theksuar se Departamenti i tyre në mënyrë strikte e respekton Ligjin për Shtetësi, veçanërisht nenin 19, ndërsa sa i përket personave të lindur në Kosovë, por të cilët tash jetojnë në Turqi kemi disa probleme. Neziri ka theksuar se të gjithë ata që kanë lindur në Kosovë, ndërsa tash jetojnë dhe punojnë në Republikën e Turqisë, shumica e tyre me rastin e regjistrimit në Turqi kanë ndryshuar mbiemrin, ditën e lindjes apo vendlindjen, prandaj me rastin e pranimit të kërkesës paraqiten probleme gjatë identifikimit për arsye të theksuara.
Në vazhdim të mbledhjes z. Neziri u përgjigj në pyetjet e parashtruara të anëtarëve të Komisionit.