Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 28.04.2016
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari Kadri Veseli (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti), filloi me betimin e deputetes së re të LDK-së, Mirjeta Kalludra, e cila zëvendësoi deputeten Teuta Sahatqija.
Pas betimit, kryetari i Kuvendit i njoftoi deputetët me ndryshimet e kërkuara nga kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, mbi emërimet deputetëve për nënkryetarë dhe anëtarë të komisioneve parlamentare nga radhët e GP të LDK-së, si vijon: Njomza Emini emërohet kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, Hetem Baxhaku emërohet zëvendëskryetar i Komisionit për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe deputetja e re, Mirjeta Kalludra, anëtare e Komisionit për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale. Deputetë miratuan propozimet.
Pas kësaj, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, kërkoi ndryshimin e rendit të ditës, që seanca të fillojë me 7, 8, 9, 10,11, në të cilat parashiheshin zgjedhje të drejtuesve dhe anëtarëve nëpër institucioneve të ndryshme të pavarura. Deputetët miratuan ndryshimin e rendit të ditës dhe menjëherë u kalua në pikën 7 të rendit të ditës, me zgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Deputetja Selvie Halimi, kryetare e komisionit ad-hoc, paraqiti rekomandimin për votimin e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, duke prezantuar dy kandidatura: Elif Tokmak dhe Agim Rifat. Pas procedurave me votim të fshehtë, Elif Tokmak, nga komunitetet e tjera, u përzgjodh anëtare e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës për një mandat tre vjeçar.
Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, i cili tashmë drejtonte mbledhjen e Kuvendit, u kërkoi deputetëve, që i njëjti komision të vijojë punën edhe për zgjedhjet e tjera. Pasi deputetët miratuan propozimin, z. Haliti kaloi në pikën 8 për zgjedhjen e dy (2) anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media. Deputetja Xhevahire Izmaku, kryetare e komisionit ad-hoc, paraqiti rekomandimin për votimin e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, me mandat dyvjeçar. Ajo propozoi katër kanditatura: Abit Hoxha, Anita Morina-Saraçi, Vihad Zani dhe Venera Puçaj, për të cilët u kalua në votim të fshehtë. Pas votimit, Abit Hoxha dhe Anita Morina Saraçi u zgjodhën anëtarë për një mandat dyvjeçar.
Lidhur me zgjedhjen e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, drejtuesi i seancës ia kaloi fjalën kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Duda Bajle, e cila paraqiti rekomandimet për votimin e katër (4) kanditaturave për dy pozitat. Ajo paraqiti dy kandidatët për pozitën e drejtorit: Nazmi Jashari dhe Raif Preteni, ndërsa për atë të zëvëndëdrejtorit, kandidatët Boguljup Skaletoviç dhe Halil Bllaca. Pas votimit, me shumicë votash, Raif Preteni u zgjodh drejtor i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, për një mandat pesëvjeçar, kurse dy kanditaturat për zëvëndësdrejtor nuk u kualifikuan dhe konkursi përsëritet.
Pika 10 e rendit të ditës vijoi me përzgjedhjen e një (1) anëtari të Këshillit Prokurial të Kosovës. Kryetari i Kuvendi, z. Veseli, ia kaloi fjalën nënkryetares së Komisionit Funksional për Legjislacion, Selvie Halimi, për arsyetimin e rekomandimit të Komisionit. Ajo paraqiti rekomandimet për përzgjedhjen e anëtarit të Këshillit Prokurial të Kosovës, duke prezantuar tre kandidaturat e propozuara nga Fakultetet Juridik: Rexhep Gashi, Arben Hajdari dhe Xhevdet Halili. Pas votimit të fshehtë, rezultoi se asnjëri nga kandidatët nuk ka numrin e nevojshëm për t'u zgjedhur. Rrjedhimisht, konkursi përsëritet.
Lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të Bordit Këshilldhënës për Mbrojtjen e Mjedisit, nënkryetari i Kuvendit, Haliti ftoi kryetaren e komisionit funksional për Bujqësi Pylltari Mjedis e Planifikim Hapësinor Duda Balje, të arsyetojë raportin e komisionit me rekomandimet. Në bazë të rekomandimeve të komisionit për anëtarë të Bordit Këshilldhënës për Mbrojtjen e Mjedisit, deputetja Balje propozoi kanditaturat; Behxhet Mustafa, Naser Ramadani, Naser Sahiti, Islam Fejza, Nustrete Doda Gashi, Tush Markaj, Fater Klejçi. Për shkak të mungesës së kuorumit votimi u shty për më vonë.
Pas pushimit, mbledhja e Kuvendit vijoi punimet me diskutimet e raporteve. Për mungesë të kuorumit për votim, zgjedhja e anëtarëve të Bordit Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit, u shty deri sa të krijohet kuorumi i nevojshëm për votim.
Për shqyrtimin e Raportit të Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, kryesuesi i seancës, z. Haliti, ia dha fjalën për të arsyetuar rekomandimet, nënkryetarit të komisionit, Sllobodan Petroviq. Pas arsyetimit nga ana e deputetit Petroviq, diskutimet u shtynë dhe u kalua në shqyrtimin e Raportit të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, arsyetimin e të cilit e bëri anëtari i komisionit, deputeti Shpejtim Bulliqi. Kryetari i Komisionit për Arsim..., Nait Hasani, kërkoi shtyrjen e debatit për një javë, pasi, siç theksoi ai, nevojitet prania e ministrit. Mirëpo kryesuesi i seancës, duke u thirrur në rregulloren e Kuvendit për mosparaqitjen e kërkesës më parë, vijoi punimet e mbledhjes së Kuvendit.
Pas diskutimeve të deputetëve për shumë probleme reale të arsimit në përgjithësi, procedura e votimit u shty për nesër.
Lidhur me shqyrtimin e Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2014, fjala iu dha për arsyetimin e Raportit, kryetarit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa. Pas arsyetimit të Raportit, Mustafa paraqiti rekomandimet e nxjera nga komisioni. Nga diskutimet e deputetëve lidhur me raportin dhe rekomandimet u theksua nevoja e ballafaqimit me qeverinë dhe ministrat në diskutime më të gjera. Pas përfundimit të diskutimeve edhe për këtë raport, procedura e votimi u la për nesër, në vazhdimin e seancës në orën 10.00.