Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisioni për Legjislacion...
E Marte, 26.04.2016
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga nënkryetarja e Komisionit znj. Selvije Halimi, shqyrtoi Raportin vjetor të punës së Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2015. Raportin e punës së AKP-së e paraqiti z. Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë, i cili e njoftoi Komisionin me të arriturat dhe sfidat që ka ky institucion. Ndër tjera, u përmenden risitë në legjislacion, veçmas atij penal. U theksua se tani mosdeklarimi i pasurisë është vepër penale dhe Agjencia obligohet të ushtrojë autoritetin e tij ligjor , në mënyrë që këto raste të procedohen në institucionet e drejtësisë. Tutje, u diskutua nevoja e ndryshimeve ligjore, veçmas e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, përmes të cilit edhe do të mund të përfshihen kufizime për zyrtarët që të ushtrojnë më shumë se një funksion publik.
Pas diskutimeve, Komisioni në mënyrë unanime vendosi që Raporti të procedohet për miratim në Kuvend.
Në vazhdim, Komisioni rishqyrtoi Projektligjin nr. 05/L-055, për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës dhe amendamentet e propozuara. Komisioni paraqiti vërejte në raportin e Komisionit funksional dhe kërkoi që neni 8 i Projektligjit dhe amendamenti 18, të hiqen.
Në fund të takimit, anëtarët e Komisionit u njoftuan edhe me analizën buxhetore për raportin financiar 2015, të përgatitur nga Instituti GAP në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI) për Komisionin Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencionit Kundër Korrupsionit, ku u tha se kjo do të diskutohet në një mbledhje të radhës.