Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 25.04.2016
Të enjten, më 28 prill, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë mbledhjen plenare të radhës, në të cilën do të shqyrtohen disa projektligje dhe raporte.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar.
Në seancën e të enjtes, pas pikave të zakonshme të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë Projektligjin për ratifikimin e Konventës për heqjen e kërkesës për legalizim të dokumenteve zyrtare të huaja (5 tetor 1961). Më pas, Kuvendi do të shqyrtojë edhe dy projektligje të tjera: për herë të parë, Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë, ndërsa për herë të dytë, atë për patentë shofer.
Në katër pikat e radhës, deputetët pritet të zgjedhin anëtarë dhe drejtues të disa institucioneve të pavarura. Kështu, parashihet të zgjidhet një anëtar i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, dy anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, anëtarët e Bordit Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit, si dhe një anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Agjenda e punës së Kuvendit do të vazhdojë me shqyrtimin e tre raporteve: raportit të Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, raportit të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, si dhe raportit të Performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2014.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe një varg çështjesh nga fushëveprimtaria e saj.
Kështu, Kryesia shqyrtoi dhe miratoi Planin Strategjik të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitet 2016-2020, të cilin e prezantoi sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Në paraqitjen e tij, sekretari Krasniqi theksoi se ky plan përcakton kornizën e zhvillimit të Kuvendit, për të arritur standardet demokratike të funksionimit, krahas parlamenteve të tjera. Plani, shtoi Krasniqi, është pjesë e planit kombëtar për zbatimin e MSA-së dhe në të gjitha objektivat e tij reflekton agjendën evropiane. Gjatë periudhës 2016-2020, sipas sekretarit Krasniqi, Kuvendi i ka parashtruar vetes pesë objektiva strategjike: të avancojë funksionimin dhe integritetin institucional, si dhe kapacitetet e administratës, procesin e shqyrtimit të ligjeve, kapacitetin mbikëqyrës, transparencën dhe komunikimit me qytetarë, si dhe diplomacinë parlamentare.
Më pas, Kryesia miratoi edhe Kornizën Afatmesme e Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2017-2019, konform rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa.
Po sot, Kryesia u njoftua me shkresën e deputetes Donika Kada-Bujupi për kalimin nga GP i AAK-së në GP të Vetëvendosjes, si dhe me shkresën e GP të AAK-së për emërimin e deputetit Palë Lekaj kryetar të këtij grupi parlamentar.