Lajmet e fundit
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...
E Hënë, 25.04.2016
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Lirije Kajtazi, kryetare e komisionit, shqyrtoi Raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2015.
Gjatë shqyrtimit të këtij Raporti, anëtarët e komisionit vlerësuan se ai përmban të dhëna të plota nga fusha e të drejtave të njeriut, si dhe rekomandime adekuate për avancimin dhe tejkalimin e sfidave nga kjo fushë.
Komisioni vlerësoi po ashtu, se lidhur me raportin e AP-së, duhet të debatohet gjerësisht edhe në një nga mbledhjet plenare të Kuvendit, si mënyra më e mirë për të ndikuar në ngritjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sikurse është paraparë me ligjet përkatëse dhe Kushtetutën e vendit.
Ndonëse raporti u lavdërua nga anëtarët e komisionit, megjithatë, lidhur me disa segmente të veçanta të tij, deputetët: Mexhide Mjaku- Topalli, Salihe Mustafa, Ethem Arifi, Kujtim Paçaku si dhe kryetarja, Lirije Kajtazi, shtruan pyetje, të cilave iu përgjigj Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.
Pas kësaj, Avokati i Popullit, Jashari, vuri në dukje se zbatimi i rekomandimeve të tyre ka shënuar rritje në të gjitha institucionet publike të vendit dhe se ky trend është duke vazhduar edhe gjatë muajve të parë në këtë vit.
Duke folur për Raportin, ai më pas u ndal tek çështjet kyçe të përmbajtjes të tij: gjyqësorin, legjislacionin dhe ekzekutivin, si mekanizma bazë për të rregulluar fushën e të drejtave të njeriut.
Për sa i përket sektorit të legjislacionit, ai vlerësoi se aty mungon harmonizimi i ligjeve, ndërkaq, plotësim-ndryshimi i shpeshtë i ligjeve, ka bërë që gjyqtarët të mos mund të përcjellin trendin e ndryshimit të tyre.
Duke folur për sistemin gjyqësor, Jashari, vuri në spikamë zvarritjet e mëdha në këtë sektor.
Lidhur me ekzekutivin, ndërkaq, ai vuri në dukje mungesën e një kontrolli efektiv të administratës.
Foli më pas edhe për rekomandimet që përmban Raporti, me theks të veçantë për nevojën e një debati në Kuvend.