Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi një delegacion të Komisionit për Çështje Evropiane nga landi Nordrhein Westfalen i Gjermanisë
E Hënë, 25.04.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, prit sot në takim një delegacion të gjerë nga Komisioni për Çështje Evropiane nga landi Nordrhein Westfalen i Gjermanisë, i përbërë nga katër parti parlamentare.
Parlamentarët gjermanë u interesuan për zhvillimet politike në Kosovë, në mënyrë të veçantë për klimën e investimeve dhe bazën ligjore që Kosova ka ndërtuar në këtë fushë. Duke theksuar nevojën e rritjes së bashkëpunim ekonomik midis vendeve të rajonit, mysafirët nga Gjermania shprehën interesimin e tyre për qasjen e Kosovës ndaj investitorëve të huaj potencialë, veçanërisht atyre gjermanë, si dhe për pasuritë natyrore që posedon vendi ynë.
Duke falënderuar delegacionin gjerman për mbështetjen e deritashme të Gjermanisë ndaj Kosovë në të gjitha sferat, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, theksoi se Berlini zyrtar vazhdon të mbetet një nga përkrahësit më të fuqishëm të vendit tonë, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Kryetari Veseli tha se Kosova vazhdon të ketë nevojë për investime të huaja dhe në këtë drejtim, theksoi domosdoshmërinë e një pranie më të madhe të bizneseve gjermane në vendin tonë. Ai tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara të bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore, në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit, duke e bërë atë më tërheqëse për investitorët e huaj.
Kryetari Veseli e njoftoi delegacionin nga landi Nordrhein Westfalen me zhvillimet e tjera politike në vendin tonë, angazhimet e përditshme të institucioneve të saj për ndërtimin e një shteti ligjor dhe funksional, si dhe aspiratat euro-atlantike.
Në këtë takim, kryetari Veseli përmendi edhe prezencën e madhe të komunitetit shqiptar në Gjermani, duke e konsideruar atë një urë të rëndësishme lidhjeje dhe bashkëpunimi midis dy shteteve.