Lajmet e fundit

Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në tryezën për MSA-në

E Enjte, 21.04.2016




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë, në cilësi të panelistit, në tryezën e diskutimit me temë: "Si ta shndërrojmë MSA-në në një proces për reforma thelbësore në Republikën e Kosovës?", mbajtur sot në Prishtinë, nën organizimin e Grupit për Studime Juridike dhe Politike dhe Institutit i Prishtinës për Studime Politike.


Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari Veseli bëri një ekspoze të angazhimeve të Kuvendit të Kosovës që lidhen procesin e integrimit evropian në përgjithësi dhe implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në veçanti. Në këtë kuptim, ai përmendi krijimin nga Kuvendi i Kosovës të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, i cili mbledh përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare në Kuvend. Veseli theksoi përkushtimin e legjislativit për të përmbushur çdo obligim që del para tij në këtë fazë.


Kreu i Kuvendit potencoi vendosmërinë e Kosovës për të vazhduar rrugën e saj përpara në agjendën euro-atlantike, por njëkohësisht, theksoi domosdoshmërinë që edhe Bashkimi Evropian të lëvizë më shpejtë në këtë drejtim. Veseli e konsideroi të ngutshme nevojën e marrjes sa më të shpejtë të vendimit nga ana e Bashkimit Evropian, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe njohjen e pavarësisë nga pesë vende të BE-së, të cilat ende nuk e kanë bërë këtë.

"Kosova beson në vizionin e Evropës. Agjenda evropiane mbetet prioritet yni nacional, për të cilin kemi konsensus të plotë midis subjekteve politike", theksoi kryeparlamentari Veseli, ndërsa shtoi se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit i ofron Kosovës perspektivë ekonomike, sidomos në aspektin e tregtisë me Bashkimit Evropian.


Në vazhdim të diskutimit të tij, kreu i Kuvendit shtoi se Kosova ka nevojë të dialogojë me Brukselin, me fqinjët e saj, por njëkohësisht ka nevojë edhe për dialog të brendshëm politik. Lidhur me këtë, ai përsëriti ftesën për grupet parlamentare në opozitë, që t'i kthehen punës së përbashkët në Kuvend.


Në këtë tryezë, kryetari Veseli foli edhe për zhvillimet në veri të vendit, duke kërkuar ndërprerjen e ndërtimeve të paligjshme nga ana e Serbisë dhe kthimin sa më të shpejtë në shtëpitë dhe pronat e tyre të shqiptarëve të shpërngulur.
Në këtë tryezë morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore, subjekteve politike, shoqërisë civile dhe përfaqësive të ndryshme diplomatike në vendin tonë.

 

 

Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në tryezën për MSA-nëKryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në tryezën për MSA-nëKryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në tryezën për MSA-nëKryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në tryezën për MSA-në