Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 20.04.2016
Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, drejtuar nga Flora Brovina, kryetare, pas miratimit të rendit të ditës, vijoi me raportimin rreth vizitës zyrtare të anëtarëve të komisionit në Turqi. Kjo vizitë, theksoi kryetarja Brovina, gjatë të cilës komisioni njoh me të gjithë piramidën e një organizimi të shkëlqyer të shëndetësisë në Turqi, "ka ndryshuar konceptet tona për organizimin e shëndetësisë tonë në Kosovë". "Ndihma e ofruar, qoftë ajo trajnuese për stafin shëndetësor, qoftë ajo në mjete dhe në aspektin ligjor, na obligon ne dhe Ministrinë e Shëndetësisë që mbrojtjen shëndetësore, organizimin e Shërbimit të Emergjencës, ta kthejmë tashmë në prioritet të punës sonë, që edhe Kosova ta ketë një Shërbim të Emergjencës në një nivel të lartë", theksoi Brovina.
Më pas, mbledhja vijoi me raportimin ekspertit për përgatitjen e dokumenteve për nismën ligjore: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.
Juristi Emrush Ujkani, i përzgjedhur nga komisioni për përgatitjen e këtij projektligji, pasi bëri një ekspoze të punës së tij, i premtoi komisionit se raportin përfundimtar, së bashku me amendamentet për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit, do ta ketë gati deri të premten.
Në mbledhjen e sotme, komisioni miratoi planin e veprimit për monitorimin e Ligjit për Shëndetësi, pas prezantimit dhe ndarjes së punës e afateve kohore nga ana e kryetares Brovina.