Lajmet e fundit

Gratë deputete dhe OSBE mbajtën tryezë pune

E Mërkure, 20.04.2016




Grupi i Grave Deputete në bashkëpunim me OSBE-në organizoi sot tryezën me temën:" Ndarja e buxhetit për strehimore, për ndihmë në rehabilitim dhe fond për kompensim të viktimave të dhunës në baza gjinore, me fokus në dhunën në familje".

Në këtë tryezë morën pjesë deputetë, përfaqësues nga Qeveria, gjykatat, komuna shoqëria civile etj.

Kryetarja e Grupit të Grave Deputete. Znj. Blerta Deliu- Kodra, me këtë rast tha: "Sot me këtë tryezë po vazhdojmë angazhimet tona si Grup i Grave Deputete për ta luftuar dhunën në baza gjinore . Kjo në fakt është përpjekje për të parandaluar dhunën në familje , trajtuar dhe përkrahur viktimat e kësaj dukurie", ka theksuar ajo, duke shtuar se Grupi i Grave Deputete këtë vit edhe vet Planin vjetor të veprimit e ka titulluar " Vit i luftës së dhunës në baza gjinore".

"Ne vit mbas viti mbesim në konstatime që nuk është vepruar për viktimat si: Diana, Zejnepja, Shyhretja, Donjeta, por dhe shumë viktima që s'kanë përfunduar me fatalitet si ato, por jetën e kanë ferr, sepse ato jetojnë me frikë e në skamje", ka pohuar znj. Deliu - Kodra, prandaj ka kërkuar që të shihet se çka mund të bëhet: si të parandalohet kjo dukuri, si të trajtohen viktimat e si të përkrahen nga shteti. Duke pohuar faktin se strehimoret janë streha të përkohshme, kurse mundësitë që t'iu dalin në ndihmë viktimave të dhunës janë të vogla , ajo me keqardhje ka konstatuar se nuk ka linjë buxhetore të përhershme për to.

Më pastaj Koordinatori nacional për luftimin e dhunës ndaj Gruas, zv ministri i Drejtësisë, z. Lirak Çelaj, foli për adoptimin e strategjisë së re për dhunën në familje, si dhe për mekanizmat institucional për luftimin e dhunës në familje. "Deputetët duhet të ndihmojnë për votimin e buxhetit. Ne kemi përfunduar draftin për pjesën narrative dhe do të dalim me parallogarinë e buxhetit për implemetim të strategjisë", ka theksuar ai , duke përkujtuar se Buxheti është shumë i rëndësishëm për t'u përkrahur këto kategori.

Kurse zv.ministri i për Financa, z, Agim Krasniqi, foli lidhur me mundësitë ligjore të krijimit të fondit për kompensimin e viktimave të dhunës në familje. Ai ka theksuar se Qeveria në bashkëpunim me Ministrinë për Punë Mirëqenie Sociale dhe Agjencioni për Barazi Gjinore ndajnë buxhet për programin kundër dhunës në familje. Në partneritet me OJQ-të ndahet ky buxhet në pajtim me Ligjin për menaxhimin e financave publike, kurse fondet e veçanta mund të krijohen vetëm me ligje te veçanta.

Deputetja Salihe Mustafa tha se kemi një ligj të mirë por ka ngecje në zbatimin e tij. Komisioni ka monitoruar Ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje por mekanizmat implementues kanë vështirësi të shumta.

Në diskutim mori pjesë edhe përfaqësuesi i MPMS-së z. Bajram Kelmendi, përfaqësues të gjykatave, Prokurorisë, strehimoreve organizatave ndërkombëtare etj.

Konstatim i përgjithshëm nga kjo tryezë është së duhet rregulluar statusi i strehimoreve dhe të sigurohet buxhet i rregullt për to.

 

Gratë deputete dhe OSBE mbajtën tryezë puneGratë deputete dhe OSBE mbajtën tryezë puneGratë deputete dhe OSBE mbajtën tryezë pune