Lajmet e fundit

Nënkryetari i Kuvendit Haliti takoi kryetarët e komisioneve parlamentare

E Premte, 15.04.2016




Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Xhavit Haliti, takoi sot kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare.


Informimi lidhur me ecurinë e shqyrtimit të projektligjeve, veçanërisht i atyre që kanë të bëjnë me marrëveshjen e MSA-së, është qëllimi i takimit të sotëm, tha në hapje të takimit, nënkryetari i Kuvendit, Haliti.


Ai më pas foli për projektligjet (27 sosh) të cilat janë në procesin e shqyrtimit në Kuvend, ndërkaq, kërkoi nga kryetarët e komisioneve përkatëse që të angazhohen edhe më shumë, në mënyrë që projektligjet të procedohen në harmoni me afatet e përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit.


Duke folur për dëgjimet publike të cilat organizohen nga komisionet, Haliti vlerësoi se në to duhet të marrin pjesë të gjithë deputetët e Kuvendit, në mënyrë që të jenë më të informuar lidhur me projektligjet.


Kryetarët e komisioneve, ndërkaq, informuan për punën në komisione dhe u zotuan se do të intensifikojnë përpjekjet për procedim e projektligjeve sipas Rregullores së Kuvendit.

 Nënkryetari i Kuvendit Haliti takoi kryetarët e komisioneve parlamentare