Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi Kryetarin e Senatit amerikan, Orin Hatch
E Premte, 15.04.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës zyrtare në Uashington, takoi Kryetarin e Senatit amerikan, Orin Hatch.
Kryetari Veseli e falënderoi kryesenatorin Hatch për mbështetjen e SHBA-së dhe të Senatit për proceset historike që kaloi Kosova, duke e informuar atë për të arriturat dhe sfidat me të cilat aktualisht po ballafaqohet Kosova.
Kryetari Veseli shprehu përkushtimin, gatishmërinë dhe vullnetin e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për ruajtjen dhe thellimin e bashkëpunimit institucional me SHBA-në. Ai me këtë rast, me theks të veçantë, kërkoi mbështetje për përfshirjen e Kosovës në iniciativa dhe programe të rëndësishme ndërkombëtare që fuqizojnë shtetësinë e saj.
Kryetari i Senatit, Hatch, e siguroi Kryetarin Veseli se nuk do të mungojë mbështetja e tij personale dhe e Senatit në përmbushjen e qëllimeve të Kosovës, duke potencuar që SHBA-ja nuk do të lejojë që një storie e suksesit, si Republika e Kosovës, të harrohet, por përkundrazi, do të vazhdojë rrugëtimin e përbashkët në fuqizimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, Kryetari Veseli kërkoi edhe mbështetjen për realizimin e qëllimeve madhore për të qenë pjesë e NATO-s, si një synim jetik për shtetin tonë.