Lajmet e fundit

Një delegacion i GGD-së u takua në ambasadën suedeze me znj. Carolina Wennerholm, specialiste për politika gjinore

E Mërkure, 13.04.2016




Një delegacion i Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Blerta Deliu-Kodra, kryetare, u pritën në ambasadën suedeze nga znj. Visare Gorani-Gashi, me rastin e vizitës së znj. Carolina Wennerholm, specialiste për politika gjinore dhe znj. Charlotta Bobjer, menaxhere e programit dhe këshilltare për çështje gjinore.


Znj. Carolina Wennerholm, tha se ndihet e kënaqur që gjendet në Kosovë, ku, siç tha ajo, ekziston një ambient për të avancuar lidhur me politikat gjinore.


"Ne kemi vizituar disa vende dhe ambasada dhe iu kemi shpjeguar se politika jashtme e Suedisë është "politikë feministe" dhe se qeveria dhe institucionet në Suedi kanë përfaqësim gjinor të barabartë 50 %", theksoi ajo.
Znj. Wennerholm theksoi se këtu kanë ardhur që të ndihmojnë vendin në politika gjinore, qoftë për hartimin e strategjive, planeve të veprimit, apo edhe me rritje të kapacitetit të grave.


Kryesuesja e GGD-së, znj. Blerta Deliu-Kodra, tha se ndonëse ambicioze, por edhe gratë në Kosovë synojmë të arrijnë 50 e përfaqësimit gjinor.


"Ligjet tona janë përshtatur legjislacionit të BE-së, por kemi vështirësi në zbatim, duke filluar nga vetë bërësit e ligjeve, si Kuvendi dhe Qeveria. Në ketë mandat ka avancim sa i përket përfaqësimit gjinor në trupat e Kuvendit, por në Qeveri kemi kthim prapa, ku kemi vetëm dy ministre, kurse në nivelin lokal fare pak përfaqësim të gruas. Sfidë kemi dhunën në baza gjinore, përgatitjen e grave për zgjedhjet lokale, punësimin e gruas, gjendjen ekonomike etj.", tha ndër të tjera Deliu-Kodra.


Kurse deputetet: Lirie Kajtazi, Selvije Halimi, Besa Gaxherri, Safete Hadërgjonaj dhe Mexhide Topalli-Mjaku, theksuan nevojën e fuqizimit të grave në partitë politike dhe marrjen e masave afirmative për fuqizim të gruas.


Në fund u vendos që të bashkëpunohet me ambasadën në rritjen e kapaciteteve të grave në sektorë të ndryshëm.

 

 

Një delegacion i GGD-së u takua në ambasadën suedeze me znj. Carolina Wennerholm, specialiste për politika gjinore