Lajmet e fundit
Deputeti Veton Berisha merr pjesë në programin studimor në Kongresin e SHBA-ve, dedikuar rolit të parlamenteve në forcimin e integritetit publik
E Mërkure, 13.04.2016
Me ftesë të Komisionit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë (HDP) të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Uashington, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Veton Berisha, është duke marrë pjesë në programin studimor me temën: “Roli i parlamenteve në forcimin e integritetit publik”.
Programi është organizuar në partneritet me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI) dhe është i përqendruar në çështjet që kanë të bëjnë me etikën parlamentare, integritetin institucional dhe rolin që duhet të ketë parlamenti për të forcuar legjitimitetin e institucioneve dhe për të ruajtur besimin e publikut.
Deputeti Veton Berisha, si përfaqësues i Kuvendit të Republikës së Kosovës në këtë program studimor, merr pjesë me deputetët e parlamenteve të shtatë shteteve nga katër kontinente. Pjesëmarrja në këtë ngjarje është një rast i mirë për të shkëmbyer përvojat kuvendore të Kosovës me praktikat e vendeve tjera pjesëmarrëse.
Në kuadër të programit do të diskutohet edhe për sfidat me të cilat ballafaqohen parlamentet në tranzicion, përpjekjet për të ndërtuar mekanizmat e nevojshëm për të ushtruar me efikasitet funksionin ligjvënës, dhe veçanërisht rolin mbikëqyrës në raport me Qeverinë.
Programi përqendrohet edhe në rrolin dhe mënyrën e funksionimit të Komisionit të Etikës, formën e rregullimit të çështjeve që ndërlidhen me deklarimin e pasurisë, deklarimin e kontributeve gjatë fushatës zgjedhore, konfliktin e interesit dhe standardet etike për përfaqësuesit e zgjedhur.
Ky program synon të kontribuojë në nxitjen e diskutimeve rreth parimeve dhe normave të etikës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe rritjen e mbështetjes për iniciativat që kanë për qëllim rishikimin e Kodit të Mirësjelljes dhe krijimin e mekanizmave efikas që sigurojnë vënien në zbatim të standardeve më të larta të etikës parlamentare.
Gjatë zhvillimit të punimeve të këtij programi studimor, deputeti Veton Berisha, nga komuniteti egjiptian, ka pasur takime me kongresmenë dhe zyrtarë të lartë të administratës së Kongresit, duke u njohur nga afër me parimet dhe normat e etikës parlamentare në SHBA.