Lajmet e fundit

Sot u hap projekti i binjakëzimit me Parlamentin Hungarez

E Marte, 12.04.2016




Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka pritur sot nënkryetarin e Kuvendit Kombëtar të Hungarisë , István Jakab ,me të cilin ka biseduar lidhur me thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe parlamenteve të tyre, e në këtë kuadër edhe për rëndësinë që ka projekti i binjakëzimit me Parlamentin Hungarez: „Përkrahja e mëtejme për Kuvendin e Kosovës".

Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë nënkryetarit të Parlamentit hungarez, Jakab, dhe bashkëpunëtorëve të tij, Haliti ka konstatuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve respektive dhe parlamenteve të tyre, duke shprehur konsideratë të lartë edhe për dy projektet e mëhershme të realizuara në mbështetje të Kuvendit të Kosovës, Ai,ndërkaq,është shprehur i bindur që ka hapësira të gjëra e të pashfrytëzuara për bashkëpunim shumë më të gjerë ekonomik në interes të të dy vendeve. Haliti ka kërkuar që Hungaria të ndikojë tek pesë vendet të cilat ende nuk e kanë njëjar Kosovën që të gjendet një modus për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe për një status të përshtatshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës (si fillim sigurimin e të drejtës së fjalës së delegacionit kosovar).

Nënkryetari i Kuvendit të Hungarisë, István Jakab, është shprehur tepër i kënaqur dhe i befasuar me ngrohtësinë që i ishte rezervuar kudo në Kosovë, si dhe e ka siguruar homologun e tij kosovar se vendi i tij do ta mbështesë Kosovën në proceset e integrimeve evropiane. Ai ka pohuar nevojën e ridefinimit të raporteve ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore me ato të Evropës Qendrore, si dhe me gjithë BE-në. Në këtë kuadër ai ka folur për rëndësinë e jetësimit të MSA-së për Kosovën dhe ekonominë e saj. Ndërkaq, duku iu referuar projektit të binjakëzimit, i cili do të mbështetet edhe nga gjashtë vende të tjera evropiane, ai i ka siguruar nikoqirët se specialistët hungarez tashmë e njohin mentalitetin e popullsisë dhe specifikat e Kosovës.

Ai ka shprehur zotimin e vendit të tij se Kosova do të mbështetet edhe në procesin e liberalizimit të vizave, si dhe për bashkëpunim të frytshëm në lëmin e bujqësisë, të cilën e ka specialitet të ngushtë.

Në këtë takim nga Kuvendi i Kosovës merrnin pjesë nënkryetari nga komuniteti serb, Slobodan Petrovoiq dhe sekretari, Ismet Krasniqi. Kurse nga pala hungareze: z. Péter Sárdi, Sekretar Shtetëror, László Márkusz, ambasador i Hungarisë në Kosovë, Zoltán Horváth, udhëheqës i Projektit të Binjakëzimit e të tjerë.

Në ceremoninë e hapjes së projektit të binjakëzimit „Përkrahja e mëtejme për Kuvendin e Kosovës", të cilën në prani të pjesëmarrësve të shumtë e ka drejtuar Shqipe Krasniqi, zyrtare e lartë për bashkëpunim me Shoqërinë civile dhe donatorë, fjalë rasti kanë mbajtur përfaqësues të Kuvendit të Kosovës dhe të Parlamentit hungarez, si dhe të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka theksuar se më pak se dy javë që nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë kontraktuale në mes të shtetit të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, po nisim një proces të ri në forcimin e funksionimit të Kuvendit të Kosovës për arritjen e standardeve karshi parlamenteve të tjera evropiane. "Edhe ky projekt, edhe ky hap shpjegon se sa e gjatë dhe i domosdoshëm është harmonizimi dhe përafrimi i politikave tona me atë të Bashkimit Evropian", ka theksuar Haliti, duke vënë në pah rëndësinë që ka mbështetja institucionale përmes instrumentit të paraanëtarësimit për vendet që synojnë të aderojnë në BE. Ai i ka siguruar miqtë hungarezë se gjenda evropiane është agjendë ditore e punës në institucionet e Kosovës." Strategjia Evropa 2020, Kriteret e Kopenhagës dhe Traktati i Bashkimit Evropian, janë pjesë e politikave tona, dhe besoj shumë se edhe diversiteti i projektit të binjakëzimit që sot po nisim, me përfshirjen e më së 50 -të ekspertëve të parlamenteve të shteteve evropiane do të jenë dëshmi që përveç praktikave të mira, mësimet e nxjerra do të ndihmojnë Kuvendin e Kosovës në proceset integruese" ka thënë Haliti, i cili ka përkujtuar zotimet e të gjithë partnerëve se do ta përkrahin Kosovën deri në anëtarësimin e saj të plotë në familjen evropiane.

Ndër dallimet e këtij projekti të binjakëzimit, nga dy të mëparshmet, Haliti ka përmendur:

- Përmirësimin e procesit legjislativ në Kuvendin e Kosovës, në veçanti përmirësimin e procedurave të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Evropian;

-Zbatimin e kornizës së re ligjore të Kuvendit, bazuar në funksionimin e saj autonom në fushën e financave; burimeve njerëzore dhe të infrastrukturës;

-Përmirësimin e procesit mbikëqyrës parlamentar, si dhe

-Forcimin e Komisionit për Integrim Evropian dhe komisioneve të tjera në procesin e mbikëqyrjes dhe mbështetjes së MSA-së.

Nënkryetari i Kuvendit të Hungarisë, István Jakab, duke folur për këtë projekt binjakëzimi i cili do të mbështetet nga mbi 50 ekspertë të gashtë parlamenteve të tjera të vendeve evropiane: kroat, letonez, polak, evropian, Mbretëri e Bashkuar dhe ai portugez, ka theksuar se ata do të jenë të fokusuar në specifika të Kosovës dhe se do të gjejnë dhe propozojnë zgjidhje të mira për shumë probleme në Kosovë. Ndërkaq duke shprehur zotimin e vendit të tij se Kosova do të ndihmohet në rrugën saj të integrimeve evropiane, ka theksuar se vetë kosovarët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre në këtë rrugëtim të rëndësishëm për ardhmërinë e vendit të tyre.

Duke e marrë fjalën në këtë ceremoni të projektit të binjakëzimit, shefi Zyrës Politike dhe të Integrimeve Evropiane, Tomas Nydey, i ka dhënë mbështetje vendit tonë në proceset e integrimeve evropiane, ndërkaq, në mënyrë të veçantë ka folur për rëndësinë e nënshkrimit dhe jetësimit të MSA-së për vendin tonë dhe ekonominë e tij. " Me MSA-në do të fuqizohen marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe BE-së", është shprehur Nydey, i cili ka përkujtuar faktin se më 16 dhe 17 maj do të mbahet takimi i Komisionit të sapoformuar në Kuvendin e Kosovës për Asociim-stabilizim me komisionin homolog të BE-së. " Kosova nuk ka kohë për të humbur", ka përfunduar përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, duke aluduar në gjendjen e tensionuar politike që ka mbretëruar muajve të fundit në Kuvendin e Kosovës.

Në përfundim të kësaj ceremonie për të pranishmit është shtruar një koktej rasti me prodhime vendore dhe verëra hungareze, ndërkaq nënkryetari Haliti ka shtruar drekë për miqtë hungarezë.

 

Sot u hap projekti i binjakëzimit me Parlamentin HungarezSot u hap projekti i binjakëzimit me Parlamentin HungarezSot u hap projekti i binjakëzimit me Parlamentin HungarezSot u hap projekti i binjakëzimit me Parlamentin Hungarez