Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi kryeparlamentarin turk, Ismail Kahraman
E Premte, 08.04.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim kryetarin e Kuvendit të Madh Kombëtar të Republikës së Turqisë, Ismail Kahraman, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin midis dy shteteve, përkatësisht marrëdhëniet ndërparlamentare dhe thellimin e mëtejmë të tyre.
Kryeparlamentari Veseli falënderoi kreun e parlamentit turk për vizitën e tij në këtë ditë historike për Kosovën, duke shprehur konsideratë të lartë për institucionet e Republikës së Turqisë dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Kosovën.
Veseli i konsideroi të frytshme bashkëpunimin ekonomik dhe investimet turke në Kosovë, ndërsa shtroi nevojën e gjetjes së partneritetit ekonomik midis kompanive kosovare dhe atyre turke. Të një rëndësie të veçantë, Veseli e cilësoi edhe marrëveshjen për tregti të lirë.
Kryetari i Kuvendit të Turqisë, Kahraman, nga ana e tij, pasi shprehu kënaqësinë për të arriturat e Kosovës, tha se vetëm gjatë vitit 2015 kompanitë turke kanë investuar në Kosovë 246 milionë euro. Me këtë rast ai shtroi pyetjen "pse të mos bëhen 1 miliard?". Ai tha se shteti turk dëshiron të kontribuojë në zhvillimin e Kosovës dhe për këtë falënderoi mbi 500 kompani e biznese turke, të cilat kanë bërë investime në Kosovë në shumë sektorë të ndjeshëm.
Kahraman vuri në dukje se pas çlirimit e këndej, Kosova ka përfituar nga Turqia rreth 1 miliard euro, si në investime, ashtu edhe në donacione. Ai tha se ndihet krenar që kompanitë turke ndikojnë në zhvillimin e Kosovës, siç tha ai, në këtë vend mik. Shqiptarët në Turqi dhe turqit në Kosovë, kreu i parlamentit turk i cilësoi ura lidhëse ndërmjet dy popujve dhe shteteve.
Kryeparlamentari Veseli, ndërkaq, theksoi se bashkëpunimi ndërparlamentar, veçanërisht midis komisioneve, është shumë intensiv dhe u shpreh i kënaqur për këtë, sepse, siç theksoi ai, proceset në për të cilat po kalon Kosova dhe përvoja e institucioneve të Turqisë, janë të mirëseardhur për institucionet e Kosovës.
Kryetari Veseli theksoi se mirëpret përkrahjen e Turqisë për njohjen e pavarësisë edhe nga ato vende të cilat ende nuk e kanë bërë këtë, për liberalizimin e vizave dhe fusha të tjera.
Kryetari Veseli theksoi se ndihet shumë krenar me komunitetin shqiptar në Turqi, i cili kontribuon në zhvillimin e Turqisë në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore, kulturore e sportive.
Në takim u theksua se vlerë e përbashkët është angazhimi në luftën kundër terrorizmit, i cili nuk njeh kufij, shtete e as fe. Të dy homologët u dakorduan që bashkëpunimi ndërparlamentar të thellohet edhe më tej, duke zhvilluar edhe vizita të ndërsjella të kryetarëve të të dyja parlamenteve.