Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi drejtorin për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Italisë, Andrea Orizio
E Premte, 08.04.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim drejtorin për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Italisë, Andrea Orizio, me të cilin bisedoi për zhvillimet në vend e rajon, raportet e shkëlqyera që të dy shtetet kanë midis tyre, në funksion të ecjes më të shpejtë të Kosovës në rrugën e integrimit euro-atlantik.
Duke shfaqur kënaqësinë për rritjen e komunikimit e të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë, përkatësisht, dy parlamenteve, kryetari Veseli shprehu interesimin dhe gatishmërinë që ky bashkëpunim të forcohet edhe më tej, në të gjitha fushat me interes reciprok. Veseli rikonfirmoi vullnetin për bashkëpunim ndërparlamentar, si një ure lidhëse e Kosovës me institucionet italiane, për krijimin e një klime sa më të favorshme bashkëpunuese, ku përvoja italiane është e mirëseardhur.
Veseli falënderoi përfaqësuesin e diplomacisë italiane për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën të shtetit që ai përfaqëson, ndërsa theksoi nevojën e vazhdimit të kësaj përkrahjeje edhe në të ardhmen, si në afirmimin ndërkombëtar dhe procesin e integrimit euro-atlantik, ashtu edhe të një prezence gjithnjë e më të madhe të bizneseve italiane në Kosovë.
"Bashkëpunimi ndërparlamentar do të jetë garancë dhe urë lidhëse e bashkëpunimit intensiv ekonomik që tashmë duhet të marrë dimensione të reja, konkrete dhe të qëndrueshme në interes të të dyja vendeve", theksoi kryetari Veseli.
Andrea Orizio, ndërkaq, shprehu interesimin për situatën aktuale në Kosovë, ndërsa u zotua se shteti i tij do ta mbështesë Kosovën në përmbushjen e objektivave të saj zhvillimore dhe euro-integruese. Ai përshëndeti fillimin e implementimit te MSA-së, si hap i parë kontraktual i Kosovës me BE-në drejt rrugës euro-integruese.
"Suksesi i Kosovës është edhe sukses i Italisë, si një partner i gjithanshëm i saj", theksoi Orizio, duke konfirmuar angazhimin për fuqizimin e ekonomisë së Kosovës, kur dihet se fuqia e Kosovës shtrihet edhe jashtë kufijve të saj, për shkak të pranisë së fortë të diasporës shqiptare që kontribuon në zhvillimin jo vetëm në vendin ku punojnë, por edhe në Republikën e Kosovës.