Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi të dërguarin e Ministrisë së Jashtme gjermane për Evropën Juglindore, Ernst Reichel
E Enjte, 07.04.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim të dërguarin e posaçëm të Ministrisë së Jashtme gjermane për Evropën Juglindore, Ernst Reichel, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale politike në vendin tonë, për marrëdhëniet midis dy vendeve mike dhe parlamenteve respektive.
Kryeparlamentari Veseli çmoi lart bashkëpunimin që Kuvendi i Kosovës dhe Bundestagu gjerman kultivojnë midis tyre, në funksion të forcimit të miqësisë ndërmjet dy vendeve dhe popujve të tyre, si dhe të ngritjes së kapaciteteve të Kuvendit në shumë segmente.
Kreu i Kuvendit tha se vendi ynë i konsideron si vlerë të veçantë raportet shumë të mira që kultivon me Gjermaninë, të cilat i japin Kosovës një impakt pozitiv në rrugën e saj drejt integrimeve uro-atlantike.
Kryetari Veseli u ndal edhe në angazhimet e institucioneve të Kosovës për krijimin e kushteve sa më të volitshme për investime të huaja, si një nga alternativat kryesore për një zhvillim të hovshëm ekonomik dhe përmirësim të jetës sociale të qytetarëve, por edhe si një nga parakushtet që vendi ynë të përshpejtojë hapat në procesin e integrimit evropian.
I dërguari i posaçëm i Ministrisë së Jashtme gjermane për Evropën Juglindore, Ernst Reichel, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë për tejkalimin e situatave që shoqëruan zhvillimet e Kuvendit në muajt e fundit, ndërsa konfirmoi edhe njëherë gatishmërinë dhe përkushtimin e shtetit që përfaqëson për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës në të gjitha drejtimet.