Lajmet e fundit
Kryetari Veseli priti në takim një delegacion nga Unioni i shqiptarëve të Kroacisë
E Enjte, 07.04.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim një delegacion të shqiptarëve nga Kroacia, të prirë Esad Çollaku dhe Ermina Lekaj-Përlaskaj, deputete e Parlamentit të Kroacisë.
Në takim i bisedua për zhvillimet politike në të dyja vendet, me theks të veçantë, për gjendjen e shqiptarëve në Kroaci dhe mundësitë e fuqizimit të rolit të tyre atje.
Udhëheqësi i delegacionit të shqiptarëve nga Kroacia, Çollaku, e informoi kryetarin e Kuvendit të Kosovës për integrimin e komunitetit shqiptar në jetën shoqërore e politike kroate, për arsimin e të rinjve shqiptarë dhe perspektivën e tyre. Ai tha se një zëvendësministër i Qeverisë së Kroacisë vjen nga radhët e shqiptarëve.
Z. Çollaku bëri të ditur se në Kroaci jetojnë rreth 18.000 shqiptarë të deklaruar, ndërsa në luftën e fundit, nga radhët e ushtrisë kroate kanë rënë dëshmorë 86 shqiptarë.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nga ana e tij, i ofroi udhëheqjes së shqiptarëve të Kroacisë mbështetje të plotë në faktorizimin e mëtejmë të komunitetit shqiptar atje, duke vënë theksin te arsimimi i të rinjve, si mundësi për forcimin dhe integrimin e këtij komuniteti, duke forcuar kështu edhe marrëdhëniet midis dy shteteve.
Këto raporte, kryetari Veseli i cilësoi të shkëlqyeshme dhe mbi këtë bazë, vuri në pah nevojën thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërparlamentar, në të cilin një rol të rëndësishëm do të luanin grupet parlamentare të miqësisë të të dyja vendeve.