Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama
E Enjte, 07.04.2016
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Rama, vlerësuan lart marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë, duke i konsideruar ato model për shtetet e tjera në rajon dhe më gjerë. Megjithatë, të dy bashkëbiseduesit shtruan nevojën e një bashkëpunimi më të thellë në të gjithë lëmenjtë, si dhe në kapërcimin e sfidave të përbashkëta në rrugën e integrimeve euro-atlantike.
Gjatë takimit u shkëmbyen informacione dhe ide për zhvillimet e përgjithshme politike e ekonomike në Shqipëri e Kosovë.
Në këtë funksion, kryeministri Rama uroi kryetarin Veseli për përmbylljen e suksesshme të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës së Kosovës nga ana e Kuvendit, duke e konsideruar ditën e sotme si historike.
Kryetari Veseli, nga ana e tij, falënderoi kreun e Qeverisë së Shqipërisë për mbështetjen e pakursyer të politikës shqiptare dhe në veçanti të qeverisë së drejtuar nga ai, ndaj Kosovës, si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në ofrimin e përvojave për konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe procesin e integrimit evropian.