Lajmet e fundit

Mbledhja solemne e Kuvendit

E Enjte, 07.04.2016




Ashtu siç është e paraparë me Ligjin për Presidentin dhe Kushtetutën e vendit, presidenti i zgjedhur i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, në mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës, e cila u mbajt sot nën kryesimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka dhënë betimin para deputetëve.

Për të përcjellë nga afër këtë akt, pas të cilit presidenti i ri i vendit do të fillojë mandatin e tij, në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, si dhe shumë ambasadorë të tjerë të shteteve mike.

E pranishme gjatë zhvillimeve të kësaj mbledhjeje ishte edhe presidentja në largim, Atifete Jahjaga.

Nuk ishin të pranishëm, ndërkaq, përfaqësuesit opozitarë, VV, AAK dhe NISMA.

Mbledhja filloi me ceremoninë e betimit, e më pas është intonuar himni shtetëror.

Pas kësaj, presidenti i ri i vendit, Thaçi, të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë përshëndetëse, për mes së cilës shpalosi objektivat dhe përqendrimin në punën e tij gjatë mandatit.

Me këtë rast, ai ndër të tjera tha:" Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, sot është një moment i veçantë në jetën time. Moment i krenarisë dhe përgjegjësisë. Karriera ime politike dhe jetësore pasqyron zhvillimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova në tri dekadat e fundit". Jam angazhuar, tha ai në vijim, në të gjitha proceset që kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Duke shprehur konsideratën e tij për të gjithë ata që flijuan për lirinë e vendit, presidenti Thaçi, me këtë rast vuri në spikamë sakrificën legjendare të komandantit, Adem Jashari, si dhe kontributin e ish presidentit, Rugova.

Foli më pas edhe për aspiratat e vendit, duke nënvizuar përpjekjen për integrimin në strukturat evropiane dhe në NATO.

Foli po ashtu edhe për dialogun me Serbinë, të cilin e konsideroi si të pa alternativë, duke theksuar:" Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por, nuk do ta përsërisim".

U zotua se do të luaj rol unifikues për arritjen e konsensusit të spektrit politik dhe të qytetarëve, ndërkaq, u shpreh i lumtur se Kosova është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Ai vlerësoi lart edhe faktin se Kosova është rreshtuar në Bllokun Antiterrorist në botë.

Në përfundim të fjalës së tij, presidenti i ri i vendit Thaçi, tha:"Në angazhimet e mia do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, traditën e mirë të qytetarisë, kriteret dhe vlerat euro-atlantike. Gjithmonë do të nisem nga oferta ime për dialog politik ndërpartiak, për komunikim me shoqërinë civile, me mediat, biznesin dhe me iniciativat e lira. Do të ruaj, kultivoj dhe përfaqësoj unitetin e popullit të Republikës së Kosovës".

Në fund, kreu i Kuvedit, Kadri Veseli, duke i uruar suksese dhe punë të mbarë presidentit Thaçi, ai po ashtu, falënderoi presidenten në largim, Atifete Jahjaga, për kontributin e deritanishëm në rolin e saj si presidente.

 

Mbledhja solemne e Kuvendit Mbledhja solemne e Kuvendit Mbledhja solemne e Kuvendit Mbledhja solemne e Kuvendit