Lajmet e fundit

Komisioni për Punë të Jashtme priti delegacionin parlamentar gjerman

E Hënë, 04.04.2016




Në takimin e sotëm që Komisioni për Punë të Jashtme, i kryesuar nga Enver Hoxhaj, pati me delegacionin parlamentar gjerman, anëtarë të Grupit të miqësisë, të Parlamentit Gjerman, për marrëdhëniet me shtetet e Evropës Juglindore, u bisedua lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe rajon, si dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.

Parlamentarët gjermanë kërkuan të njihen më për së afërmi me zhvillimet në Kosovë, në kontekstin e ashpërsimit të klimës politike në Kuvend dhe popullatën e Kosovës, për rezultatin e bisedimeve të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për mundësitë e përmirësimit të gjendjes ekonomike në vend dhe për procesin e integrimit evropian të vendit tonë.

Kryetari i Komisionit, Hoxhaj, duke shprehur gjithë respektin e thellë të institucioneve dhe të popullit të Kosovës për ndihmën e vazhdueshme të Gjermanisë dhe të popullit gjerman për vendin tonë, i ka siguruar miqtë gjermanë se të gjithë anëtarët e Komisionit (në takim ishin edhe deputetët nga radhët e opozitës: Galauk Konjufca dhe Zahir Berisha) janë pa përjashtim filoevropianë. Ai, ndërkaq, duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel theksoi se nga gjithsej 18 marrëveshjet e arritura deri më tani vetë 6-7 sosh kanë filluar të zbatohen nga shteti serb, duken u shprehur se dialogu duhet të vazhdojë, por me parametra të qartë.

Deputeti Konjufca ka folur për sfidat sistematike dhe ato afatgjata që e rëndojnë Kosovën në procesin e zhvillimit ekonomik, të shtetndërtimit, të demokracisë së brendshme dhe afirmimit ndërkombëtar të Kosovës, duke veçuar: pamundësinë e krijimit të një sistemi kredibil gjyqësor (vërejtjet e vazhdueshme të Raportit të Progresit për Kosovën) ,dështimin e luftës kundër korrupsionit nga organet vendore dhe EULEX-i, papunësinë e madhe në rritje, votimin kundërligjor të Gjykatës Speciale, që siç u shpreh ai do të merret me krime monoetnike, vetëm ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është projektuar në parime joevropiane ( paracaktimi etnik i posteve të rëndësishme publike dhe segregacioni i një pjese tjetër të popullsisë, etj. Këto çështje dhe demarkacioni i kufirit me Mal të Zi kanë shqetësuar një pjesë të madhe të popullit të Kosovës dhe subjekte të caktuara politike, ka thënë Konjufca.

Deputeti Ismet Beqiri ka thënë se partia e tij (LDK-ja) nuk ka qenë e entuziazmuar me shumë marrëveshje që janë arritur në Bruksel, por është angazhuar që ato të vazhdojnë edhe për faktin se këtë e kërkojnë miqtë tanë evropianë dhe amerikanë, për një rajon në paqe në Ballkan. Ai, ndërkaq, është shprehur kundër veprimeve të opozitës të ndërmarra në Kuvend dhe përqark tij, që kanë krijuar figurë të keqe për Kosovën.

"Përplasjet në Kuvend kanë ndodhur për mungesë transparence të bisedimeve të Brukselit", është shprehur deputeti Zafir Berisha, i cili ka theksuar se populli i Kosovës është historikisht evropian dhe se dëshiron shumë që të integrohet në familjen evropiane.

Deputeti Qerim Bajrami, duke pranuar faktin se shumë bashkatdhetarë tanë kanë gjetur punë dhe strehim në Gjermani, ka dashur të dijë më shumë për mundësitë e punësimit sezonal të të rinjve kosovarë në shtetin gjerman.

Elmi Reçica, ndërkaq, ka spikatur vullnetin e patundur të institucioneve dhe të popullit të Kosovës për integrime euroatlantike (anëtarësimi në BE dhe në NATO), e duke u shprehur i bindur se Bundestagu gjerman do ta mbështesë populli tonë në këto synime të ligjshme.

Deputeti gjerman Peter Wesis, duke aluduar për gjendjen jostabile politike në Kosovë është shprehur se nuk dëshiron t'u japë mësim miqve kosovarë, por ju ka kujtuar atyre dështimin e Republikës së parë demokratike të Vajmarit, pikërisht edhe për shkak të zënkave të papajtueshme të partive politike gjermane. Ai ka folur për rëndësinë që ka për Kosovën nënshkrimi dhe hyrja në fuqi e MSA-së, ndërkaq është zotuar se Bundestagu gjerman do ta mbështesë Kosovën në liberalizimin vizave. Këtë zotim e kanë përcjellë edhe deputetët e tjerë gjermanë: Andreas Lammeldhe Jospip Juratoviq (me origjinë nga Kroacia). Ata kanë

Bartur e zotimin e vendit të tyre se Kosova do të mbështetet në planin e zhvillimit ekonomik, të punësimit sezonal dhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Juratoviq, ndërkaq, duke iu referuar rëndësisë së bisedimeve të Brukselit ka qenë i prerë se pa një Serbi stabile nuk mund të ketë rajon të qetë (Ballkanit jugperëndimor). Ai dhe deputetët e tjerë gjermanë e kanë quajtur parlamentin vend të shenjtë të demokracisë, i cili duhet çmuar, ruajtur dhe mospërbaltur.

Kryetari Hoxhaj dhe anëtarët e tjerë të Komisionit për Punë të Jashtme u janë përgjigjur edhe shqetësimeve të deputetëve gjermanë për lajmet për shtimin e radikalizmit islam në Kosovë, duke i garantuar ata se terrorizmi është proces global për luftimin e të cilit Kosova ka krijuar mekanizma efikas kushtetues.

Duke e përfunduar takimin Hoxhaj i ka siguruar miqtë gjermanë se Kuvendi i Kosovës shumë shpejt do ta krijojë Grupin e miqësisë me Bundestasgun gjerman.

 

 Komisioni për Punë të Jashtme priti delegacionin parlamentar gjerman