Lajmet e fundit
Deputetë të Kuvendit të Kosovës marrin pjesë në Konferencën Ndërparlamentare për Energjinë dhe Inovacionin
E Hënë, 04.04.2016
Në Konferencën Ndërparlamentare për Energjinë dhe Inovacionin, e cila po mbahet në Hagë, janë duke marrë pjesë edhe përfaqësues të Kuvendit të Kosovës, përkatësisht, deputeti Muhamet Musta, kryetar i Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, si dhe deputeti Raif Qelaj, anëtar i këtij komisioni.
Gjatë punimeve të kësaj konference, do të adresohen sfidat e ndërtimit të politikave evropiane për siguri në energji.
Po ashtu, pritet të diskutohet edhe për furnizimin me energji elektrike, me çmim më të volitshëm për konsumatorët evropianë.
Kryetari i Komisionit për zhvillim ekonomik i Kuvendit të Kosovës, Mustafa, në fjalën e tij në këtë konferencë, ka ngritur çështje nga fusha e energjetikës, me të cilat ballafaqohen vendet në Evropën Juglindore, me theks të veçantë Kosova në zbatimin e politikave dhe standardet e reja në prodhimin dhe konsumin e energjisë.
Ai vlerësoi se politikat e përbashkëta evropiane duhet të ofrojnë më shumë mbështetje për këto vende.